Ndërlidhjet

PËSHTJELLIMI I KOMPETENCAVE MBI PRIVATIZIMIN


Ibrahim Rexhepi

Deputetët në Parlamentin e Kosovës ishin mjaft nervozë gjatë debatit për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore e publike në Kosovë. Ata nuk kishin ndonjë vërrejtje thelbësore, përveç asaj se Parlamenti dhe Qeveria nuk kanë kompetenca në këtë proces. Prandaj e vetmja kërkesë e tyre, gati ultimative, ishte që institucionet kosovare të jenë të kyçura në procesin e vendim-marrjes.
Ndërkaq, ndërkombëtarët në krye të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit thonë se nuk janë të mbyllur për institucionet kosovare. Madje, ata përmendin se 75 % e stafit përbëhet nga vendorët, ndërkaq në stafin udhëheqës janë të deleguar edhe përfaqësuesit e qeverisë.
Mirëpo, deputetët në Parlamentin e Kosovës thonë se ky bashkëpunim është deklarativ, meqenëse kosovarët në Agjenci janë vetëm për dekor. Vendimet kryesisht merren nga ndërkombëtarët, të cilët kanë edhe të drejtën e vetos.
Rregullorja për Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, është dokumenti kryesor për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore e publike. Ajo është debatuar në institucionet përkatëse të OKB-së në Nju Jork, kurse është nënshkruar nga administratori Steiner. Ky ishte dokumenti i parë i UNMIK-ut, i cili ka qenë në shqyrtim publik. Madje, Qeveria e Kosovës ka dhënë edhe vërrejtjet, disa prej të cilave janë inkorporuar në draftin final. Por, vërrejtjet e qeverisë kanë qenë mjaft sipërfaqësore, përkatësisht ato nuk kanë ndikuar esencialisht në mënyrën e privatizimit. Bazuar në relacionet e atëhershme, as Qeveria e Kosovës nuk ka mundur të bëjë diçka më shumë. Ajo ishte para faktit të kryer. Shtylla e katërt e UNMIK-ut mbronte qëndrimin se nëse nuk pranohet kjo rregullore, atëherë fillimi i procesit të privatizimit mund të shtyhet apo edhe të vihet në pikëpyetje. Prandaj, në këtë situatë, kabineti i Bajram Rexhepit nuk ka pasur hapësirë të gjerë për manovrim. Është dashur të pranojë që në Bordin e AKM-së të jenë edhe tre vendorë, si edhe përfaqësuesi i punëtorëve, përkatësisht kryetari i sindikatave.
Duke analizuar punën e deritanishme të Agjencisë së Mirëbesimit, mund të thuhet se vërrejtja e deputetëve është e drejtë. Kosovarët nuk kanë shumë ndikim në këtë proces, pa marrë parasysh se 75 % e të punësuarëve janë vendorë, kurse gjysmën e bordit e përbëjnë njerëzit e deleguar nga Qeveria dhe sindikata.
Në këtë pështjellim, ndërkombëtarët shpesh kanë deklaruar se çdo vendim rreth privatizimit merret me konsensus të plotë në Bord. Do të thotë se e tëra bëhet me pajtimin e vendorëve dhe ndërkombëtarëve. Përveç disa reagime të sindikatave, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me përfitimet e punëtorëve gjatë privatizimit, vërrejtje të tjera nuk ka pasur. Ndërkaq, në bord janë edhe Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, ai i Tregtisë dhe ai i Bujqësisë, njëkohësisht edhe përfaqësuesi i minoriteteve. Ata nuk kanë pasur ndonjë vërejtje qenësore për këtë proces. Ndërkaq, shefi i tyre, Bajram Rexhepi, në disa raste ka qenë mjaft i ashpër ndaj AKM-së. Ai këtë e ka quajtur si qeveri të tretë dhe më të fuqishme në Kosovë. Vërrejtjet e tij kryesisht kanë të bëjnë me mënyrën e menaxhimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike. Ato mbahen shumë larg nga institucionet kosovare. Në fakt, qeveria apo ministritë, nuk kanë kurrfarë kompetencash ndaj këtyre ndërmarrjeve, pa marrë parasysh se ato ende nuk kanë ndryshuar statusin pronësor. Madje, ato as që bëjnë ndonjë raport për qeverinë apo për parlamentin e Kosovës. Dhe këtu qëndron i tërë mllefi i deputetëve, por edhe i qeveritarëve. Ata në këtë segment duan më shumë kompetenca, pasi janë të vetëdijshëm se nuk mund të ndryshojnë shumë në procesin e privatizimit. Për më shumë se 530 ndërmarrje shoqërore e publike të Kosovës, shumë më i mirë është privatzimi i tillë se sa pritja dhe shkatërrimi. Për këtë fakt janë të vetëdijshëm të gjithë liderët e Kosovës.
Pa marrë parasysh këto kundërshtime, hapja e debatit për privatizimin në Parlamentin e Kosovës, ka rëndësinë e vet. Për herë të parë në mënyrë publike rreth këtij procesi kanë debatuar ndërkombëtarët dhe vendorët. Edhe përmes polemikave dhe kundërshtimeve të tilla bëhet kooperimi. Madje, do të ishte e pranueshme që Parlamenti i Kosovës me shpesh të debatojë për këtë temë. Por, edhe deputetët duhet të jenë shumë më të përgatitur dhe të informuar për këtë proces. Mos të ndodhë, sikurse në mbledhjen e fundit të parlamentit që deputetët të interpretojnë fjalët e dëgjuara nëpër kuloare apo të jenë iracionalë në kërkesat e tyre.



XS
SM
MD
LG