Ndërlidhjet

logo-print

HOXHAJ: STEINER KA SJELLË NJË QASJE TË RE, POZITIVE NË ZHVILLIMET NË KOSOVË


Enver Hoxhaj, politolog

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, kryeadministratori Steiner këto ditë po e mbyll mandatin e tij në Kosovë. Fillimisht si e vlerësoni ju punën e tij në postin më të lartë të administratës ndërkombëtare gjatë më tepër se 18 muajve të qëndrimit të tij në Kosovë?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se është pak e vështirë të nxirret një bilanc përfundimtar për punën e zotit Steiner. Marrë përgjithësisht zoti Steiner është dalluar që në fillim me një qasje të re dhe ka qenë ai që në krahasim me paraardhësin e tij ka mundur të shtendosë tensionet, të cilat u krijuan gjatë kohës së qeverisjes së zotit Hakerup, po ashtu dhe themelimin e institucioneve të Kosovës, platformës politike të institucioneve të Kosovës, domethënë programi i qeverisë, dhe disa zhvillime të tjera mund të referohen si suksese të tij. Parimisht mund të thuhet që një pjesë e madhe e kontributit të tij ka qenë e fokusuar në krijimin e një shoqërie qytetare në Kosovë, ose shumëetnike. Po do të thoja se në këtë drejtim nuk ka patur ndonjë sukses të veçantë, sidomos sa i përket çështjes së Mitrovicës, veriut të Kosovës dhe strukturave paralele. Mirëpo do të duhej të shtrohej pyetja nga ana e kosovarëve se sa kanë mundur ta shfrytëzojnë zotin Steiner për agjendën e tyre politike dhe në këtë drejtim mendoj se institucionet e Kosovës kanë qenë shumë pak kooperativë dhe nuk janë karakterizuar me një kulturë të tillë politike, të një bashkëpunimi të mirëfilltë. Nëse institucionet e Kosovës do të ishin shumë më kooperative, jam i sigurt se do të kishte rezultate më të mëdha. Mirëpo marrë përgjithësisht mendoj që e tërë puna që është bërë nga zoti Steiner ka qenë një punë e nevojshme, e domosdoshme dhe ka qenë një kontribut i mirë për shoqërinë kosovare. Për pasardhësin e tij do të ishte një mesazh kryesor që të mos ketë një agjendë dhe mos ketë një shumësi prioritetesh si i ka patur zoti Steiner, meqënëse që nga ardhja e tij ka patur rerth 30 prioritete dhe nuk ka mundur të fokusohet në implementimin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët këtu edhe rolin e lidërshipit vendor. Këto ditë liderët politikë të Kosovës nënshkruan një letër me të cilën i ftuan të gjithë të zhvendosurit që të kthehen në Kosovë. Si e vlerësoni këtë thirrje të lidershipit kosovar?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se nënshkrimi i kësaj letre, mënyra se si është formuluar ajo dhe konsensusi politik sa i përket kthimit, është një ndër zhvillimet pozitive më të rëndësishme që ka ndodhur në Kosovë që nga themelimi i institucioneve të Kosovës. Është një fakt i ri politik që ka mbështetjen edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Marrë përgjithësisht edhe qytetarët e Kosovës ndajnë perceptime të njëjta politike. Do doja të shtoja se në bazë të disa studimeve të mia personale në terren në Kosovë, kam vënë re se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës nuk janë kundër kthimit, por janë për kthim dhe shpesh herë e krahasojnë kthimin e tyre me kthimin e kosovarëve para katër vitesh. Kështu që ky hap politik i lidershipit të Kosovës do të duhej të kuptohej nga ata si një nisëm e re. Tani varet se çfarë hapa të ri politikë do të ndërmarrë lidërshipi në Kosovë, me qëllim që këtë apel ta bëjë realitet. Ne e dimë që çështja e kthimit edhe për këtë vit dhe sidomos në vitin e ardhshëm dhe në fazën finale të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, do të jetë një ndër çështjet më kryesore. Zgjidhja apo moszgjidhja e saj, ose suskesi apo mossuksesi i Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, në fund të fundit do të matet pikërisht nga prizmi i kthimit të minoriteteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e kthimit është thënë se do të jetë njëra prej pikave kryesore të bisedimeve eventuale Prishtinë-Beograd. Është paralajmëruar që në fund të korrikut të bëhen këto bisedime, mirëpo duke marë parasysh ndërrimet që do të bëhen në postin më të lartë të UNMIK-ut, sa konsideroni se janë reale pritjet që ky dialog të fillojë këtë muaj?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se ftesa e liderëve vendorë do duhej të ishte fillimisht në atë që patjetër edhe në këtë fazë të dialogut mes Prishinës dhe Beogradit të involvohen në mënyrë direkte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Sidomos kur e kam parasysh angazhimin aktual të SHBA-ve nuk mendoj që vërtet në këtë fazë, domethënë gjatë muajit korrik do të ketë bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit. Po ashtu në Prishtinë egziston një lloj konsensusi sa i përket çështjes së kthimit, por nuk egziston ndonjë konsensus i mirëfilltë politik sa i përket dialogut, çfarë duhet të përmbajë ky dialog, cilat caqe politike synojnë kosovarët t'i realizojnë përmes këtij dialogu dhe paralelisht me këtë edhe në jetën politike serbe ka qasje të ndryshme, ka ide të ndryshme. Nuk egziston edhe aty një konsensus sa i përket dialogut. Domethënë të gjithë këto faktorë bëjnë që praktikisht gjatë muajit korrik çështja e takimeve të para mes Prishtinës dhe Beogradit të jetë praktikisht e pamundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet me Beogradin janë një prej standarteve që zoti Steiner i ka vënë Kosovës për t'i përmbushur. Mirëpo këto ditë Reno Harnish tha se formula standartet para statusit do të duhej definuar si standarte drejt statusit. Cilat janë dallimet mes këtyre dy formulimeve sipas jush?

ENVER HOXHAJ
Ndryshimet mendoj janë në atë kuptim që disa nga standartet të cilat janë formulluar nga zoti Steiner dhe mënyra se si janë formuluar dhe prezantuar kanë krijuar një lloj konfuzioni politik, i cili ka bërë që disa shtete të bashkësisë ndërkombëtare të pranishëm në Kosovë të mos kenë vërtet një mbështetje direkte sa u përket standarteve. Parimisht nuk kanë qenë kundër, por as nuk e kanë mbështetur shumë një politikë të tillë. Ndoshta çështja e kthimit dhe çështja e privatizimit në Kosovë dhe çështja e zgjidhjes së pronësisë do të jenë pikërisht ato tre standartet themelore me të cilat do duhej të ballafaqohej shoqëria kosovare para se të fillojë çështja e statusit final të Kosovës. Me këtë mesazh zoti Harnish me siguri ka menduar se nuk do duhet të ketë 8 prioritete të mundshme, por të ketë vetëm disa prioritete dhe këto prioritete vërtet të realizohen dhe të bëhen pjesë e jetës sonë politike me qëllim që të ketë një dinamikë të re.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG