Ndërlidhjet

TREBST: KOSOVA KA NEVOJË PËR NJË PLAN NDËRKOMBËTAR


Stefan Trebst, Qendra për historinë dhe kulturën e Evropës Lindore, Lajpcig

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ç'domethënie kanë këto për ju?

STEFAN TREBST
Së pari duhet të presim nëse vërtet do të mbahen dhe si do të fillojnë. Parimisht mendoj se bisedimet janë gjithmonë një ide e shkëlqyer. Ato nuk i zgjidhin domosdoshmërisht çështjet thelbësore, por sigurisht mund të kontribuojnë në rritjen e besimit ndërmjet palëve biseduese dhe mendoj se nëse palët biseduese në fillim tregohen të urta për të mos prekur menjëherë çështjet më të komplikuara, por të fillojnë le të themi me probleme të një rëndësie normale, mendoj se bisedimet e tilla do të mund të sillnin një dinamizëm dhe progres, që më vonë do të mundësonte diskutimin e çështjeve më të komplikuara, si përshembull sigurimi i kufijve të Kosovës në kuadrin e rezolutës 12-44 etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni punën e UNMIK-ut dhe institucioneve kosovare?

STEFAN TREBST
Është një pyetje me dy kahje. Mendoj se administrata ndërkombëtare në Kosovë ka arritur disa suksese. Për shembull zoti Shtajner raportoi në Këshillin e Sigurimit për lirimin e të gjithë të burgosurve shqiptarë të Kosovës në Serbi, por sigurisht ka ende një numër të madh problemesh serioze të pazgjidhura dhe një nga këto është ekonomia e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Le të flasim pak për të kaluarën. A mund t'i shpjegoni disa nocione, si ballkanizimi apo evropianizimi i Ballkanit?

STEFAN TREBST
Duhet të them se këto nocione abstrakte në politikën e përditshme dhe manaxhimin nuk janë shumë të dobishëm. Ballkanizimi është një nocion që ka kuptim shumë negativ, ndërsa evropianizimi është eufemizëmi, i përdorur nga Bashkimi Evropian dhe nuk ka kuptim konkret. Në përgjithësi mendoj se përfshirja e faktorëve multilaterialë në Kosovë u bë në dy faza tepër të ndryshme. Faza e parë ishte 1989-1998 kur komuniteti ndërkombëtar u përpoq në mënyrën maksimale të injorojë problemin dhe pastaj patëm raundin e parë të luftës në vitin 1998 dhe të fundit, i cili u karakterizua nga një përfshirje serioze e komunitetit ndërkombëtar edhe në aspektin ushtarake dhe tani kemi këtë formë protektorati. Mendoj se ka ardhur koha që katër vjet pas rezolutës 12-44, faktorët ndërkombëtarë të mblidhen dhe të përpiqen të konceptojnë ashtu siç është quajtur në rastin e palestinezëve një plan. Mendoj se një plan ndërkombëtar për zgjidhjen e problemit të Kosovës është i domosdoshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni të ardhmen e Kosovës dhe Maqedonisë?

STEFAN TREBST
Mendoj se në terma ligjorë nuk është e ndërlidhur përveçse me faktin se të dyja këto vende janë fqinje. Në aspektin kulturor ka një ndërlidhje të fuqishme ndërmjet komunitetit shqiptar të Maqedonisë dhe shumicës shqiptare të Kosovës, por në përgjithësi mendoj se të dyja entitetet duhet të vendosen në të njëjtin nivel të njohjes ndërkombëtare. Republika e Maqedonisë është një shtet i pavarur që prej 12 vitesh, dhe mendoj se marrëdhëniet dypalëshe të Maqedonisë me Kosovën do të përmirësoheshin në mënyrë të konsiderueshme nëse edhe Kosova do të ngrihej në të njëjtin status të të qenit subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Sigurisht kjo do të sillte një ndarje nga kjo federatë që e shohim të jetë e brishtë dhe që momentalisht quhet Serbi Mali i Zi, e që gjithsesi mendoj se do shpërbëhet. Ndarja e Malit të Zi nga Serbia duhet të përdoret nga faktorët ndërkombëtarë për të riformuluar rezolutën 12-44 dhe për ta ngritur statusin e Kosovës në subjekt të të drejtës ndërkombëtare.
Do të thoja që zhvillimet më të fundit, samiti ti BE-së në Selanik, hap një perspektivë interesante për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të hapë gjithashtu një perspektivë për Kosovën që në një afat të mesëm të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian.

Intervistoi Lulzim Mjeku
XS
SM
MD
LG