Ndërlidhjet

logo-print

STEINER MIRATON KODIN PENAL TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Michael Steiner, ka nënshkruar sot pasdite dy ligje që rregullojnë të drejtën penale, përkatësisht Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.
“Nënshkrimi i tyre i bën ligjet penale të Kosovës të jenë në harmoni me standardet bashkëkohore evropiane”-tha Steiner, për të shtuar se-“këto kode marrin për bazë dhe parimet moderne të legjislacionit ndërkombëtar, në përgjithësi, si dhe ligjet mbi të drejtat ndërkombëtare të njeriut”. Mirëpo, edhe pse këto kodet u nënshkruan sot, implementimi i tyre do të pasojë vetëm pas 6 prillit të vitit 2004, pasi ndërkohë do të fillojë trajnimi i gjykatësve e prokurorëve.
“Kodet të cilat i nënshkrova sot, do hynë në fuqi pas nëntë muajsh. Shtyrja e zbatimit të tyre në këtë fazë kohore bëhet për tre arsye”, tha Steiner. Së pari në mënyrë që të fillojë trajnimi i prokurorëve e gjykatësve, pastaj që të fitohet në kohë për riorganizimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor në Kosovë dhe së treti që opinioni të ketë kohë të informohet për këto reforma. Ndërkohë, duke elaboruar përmbajtjen dhe rëndësinë e këtyre kodeve, eksperti ligjor në zyrën e UNMIK-ut Aleksandër Borg Olivie, tha se këto kode kanë elemente edhe të ligjeve të mëparshme të Kosovës, të ish-Jugosllavisë dhe vendeve tjera të rajonit, por janë modernizuar dhe harmonizuar me ligjet e standardeve bashkëkohore botërore.
“Të gjitha këto ligje janë rishikuar, modernizuar dhe shndërruar në kode moderne të Kosovës që rregullojnë të drejtën dhe procedurën penale”, tha Olivie.
Që nga vendosja e administrimit ndërkombëtar, e drejta penale në Kosovë është rregulluar sipas ligjeve të zbatueshme të ish-Jugosllavisë. Kurse hartimi i kodeve të nënshkruara sot ka zgjatur që nga viti 1999.
Ndryshe, nënshkrimi i këtyre kodeve, sipas burimeve nga UNMIK-u, nuk do të jetë vendimi i fundit i Steinerit para se ai të largohet nga mandati i tij në Kosovë, pasi sipas këtyre burimeve, Steiner do të nënshkruajë nesër dhe Memorandumin për Tregti të Lirë me Shqipërinë.


XS
SM
MD
LG