Ndërlidhjet

NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR TREGTI TË LIRË KOSOVË - SHQIPËRI


Zijadin Gashi Prishtinë

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar sot Marrëveshjen për Tregti të Lirë. Marrëveshjen në emër të Kosovës e kanë nënshkruar shefi i UNMIK-ut Mihael Steiner, i cili sot ka ditën e fundit të qëndrimit të tij në Kosovë në postin e shefit të administratës ndërkombëtare dhe Ministri për Tregëti e Industri Ali Jakupiaj, ndërsa në emër të Shqipërisë nënshkrimin e ka bërë Ministri i Ekonomisë, Arben Malaj.
“Kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji e nënshkruar me vendet përreth, por ne i kemi filluar gjithashtu bisedimet me Bosnje Hercegovinën, pasi qëllimi ynë është që ta lidhim Kosovën në kuadrin e Paktit të Stabilitetit me tërë rajonin dhe ne këtu vetëm po përcjellim shembujt e vendeve tjera, të cilat e kanë filluar këtë proces”, ka thënë me rastin e nënshkrimit të saj Steiner.
“Marrëveshja për Tregti të Lirë me Shqipërinë parasheh liberalizimin e menjëhershëm të 50 përqind të mallrave tregtare ndërmjet Kosovës e Shqipërisë dhe brenda gjashtë viteve të ardhshme, 90 përqind e tregtisë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë do të liberalizohet hap pas hapi”, tha Steiner, për të shtuar se vetëm disa mallra, të cilat janë më të ndjeshme, kryesisht bujqësore, do të mbeten të papërfshira në këtë liberalizim tregtar.
Ndërkohë ministri shqiptar Arben Malaj tha se Shqipëria po i kushton shumë rëndësi liberalizimit të tregut, jo vetëm me Kosovën por edhe me rajonin.
“Kjo marrëveshje është pjesë e iniciativave rajonale për një zhvillim më të shpejtë dhe më të integruar të të gjitha vendeve të rajonit. Tashmë ne kemi plotësuar kuadrin e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë me të gjitha vendet e rajonit. Me Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi, Kroacinë, Bullgarinë dhe Rumaninë”- ka thënë ministri Malaj, sipas të cilit, liberalizimi i tregut në rajon do të jetë fitimprurës për të gjitha vendet e Ballkanit. Kurse ministri në Qeverinë e Kosovës Ali Jakupi, tha se përfshirja e Kosovës në projektet rajonale ishte rezultat i punës së institucioneve të Kosovës, por sidomos i qasjes së UNMIK-ut ndaj këtyre proceseve.
“Duke i parë sqarimet e sinqerta dhe të argumentuara të UNMIK-ut, atëherë Komisioni Evropian e kuptoi qartë pozicionin e Kosovës në Paktin e Stabilitetit dhe për këtë arsye morën vendimin që edhe Kosova të jetë një entitet, i cili do t’i ketë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit si vendet e tjera të rajonit. Më duhet ta them se po mos të na mbështeste në këtë mënyrë zoti Steiner vështirë se do të arrinim në këtë çast kaq solemn”-tha ministri Jakupi.

Ndërkohë zoti Steiner tha se kjo marrëveshje do ta ndihmojë integrimin e ekonomisë kosovare në rajon, si dhe do të mundësojë importimin e mallrave më të lira të nga Shqipëria, kurse eksportimin në kushte më të mira të mallit të Kosovës për në Shqipëri. Steiner tha gjithashtu se ai ndihej i lumtur që në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Kosovë në postin e shefit të UNMIK-ut, kishte rastin të nënshkruante një marrëveshje shumë të rëndësishme për Kosovën.



XS
SM
MD
LG