Ndërlidhjet

logo-print

E.TAHIRI: STATUSI FINAL I KOSOVËS- ÇËSHTJE E NJË PROCESI NDËRKOMBËTAR


Edita Tahiri, deputete e LDK-së në parlamentin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tahiri, kohëve të fundit në Prishtinë dhe më gjerë flitet shumë për bisedimet e Kosovës dhe Serbisë për çështjet teknike-praktike. Por thuhet se ka konfuzion se për çfarë duhet biseduar me Beogradin.

EDITA TAHIRI
Mendoj se nuk do duhej të kishte konfuzione lidhur me këtë sepse korniza e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit në fakt ka të bëjë me çështjet praktike dhe kurrsesi jo me çështjen e ndjeshme dhe esenciale të statusit final të Kosovës. Siç është e njohur për opinionin ndër çështjet praktike janë përmendur çështjet e infrastrukturës siç është fjala për çështjet e telekomunikacionit apo energjetikës, çështjet sociale, çështja e të zhdukurve, çështja e kthimit të refugjatëve etj. Pra nuk duhet të ketë konfuzion lidhur me këtë. Është shumë e qartë kjo kornizë e bisedimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e argumentoni tezën për mospërfshirjen e Serbisë në bisedimet për statusin final të Kosovës?

EDITA TAHIRI
Çështja e statusit final të Kosovës në fakt duhet të jetë çështje e një procesi ndërkombëtar, i cili do të dizajnohet dhe udhëhiqet nga bashkësia ndërkombëtare. Në këtë rast rolin udhëheqës do ta kishin SHBA-të në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe sa i përket Beogradit, pas luftës agresore që ka bërë këtu në Kosovë dhe pas gjenocidit ndaj popullit të Kosovës, nuk mund të ketë më status të barabartë në bisedime. Statusi i Beogradit do duhej të ishte statusi i palës së ndëshkuar, sepse Beogradi duhet të mbahet përgjegjës për luftën agresore, jo vetëm në Kosovë por edhe për tre luftërat e tjera që i ka zhvilluar në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare pas luftës sikur ka mbajtur një qëndrim të gabuar ndaj Beogradit dhe me këtë rast Serbia sikur nuk ndien fajësinë për këtë politikë agresore që ka mbajtur. Madje ne po shohim edhe elemente të politikës së Millosheviçit, të cilat po riciklohen në politikën aktuale të Beogradit, për shembull rasti i arrestimit të zotit Thaçi në Hungari, në bazë të një fletëarresti nga kohërat e Millosheviçit e të tjera sjellje. Pra mendoj se është koha që Serbia dhe Beogradi ta kuptojnë se janë përgjegjëse të luftës në Kosovë dhe nuk mund të jenë palë e barabartë tashmë në bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tahiri, cilat mendoni se duhet të jenë palët në bisedimet që do të përcaktonin statusin final të Kosovës?

EDITA TAHIRI
Për të patur dialog për çështje praktike me një marrëveshje të qëndrueshme dhe legjitime, mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kenë rolin udhëheqës të këtyre bisedimeve dhe mendoj se ambrella e Bashkimit Evropian, e cila këto ditë po ravizohet është e pamjaftueshme. Mendoj se këto biseda qoftë edhe për çështje më të vogla do të jenë të sukseshme në qoftë se ndërtohet një kornizë ndërkombëtare ku SHBA dhe Bashkimi Evropian janë faktorët ndërkombëtarë që garantojnë rezultatet e bisedimeve. Mirëpo gjithsesi duhet thënë se ky dialog për çështjet praktike duhet të jetë plotësisht i liruar nga aspekti politik, pra kurrsesi nuk guxon të paragjykohet statusi final i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tahiri, disa thonë se Kosova nuk është duke bërë parapërgatitje të duhura për procesin e bisedimeve rreth përcaktimit të statusit final të Kosovës. Sa edhe a qëndrojnë këto konstatime?

EDITA TAHIRI
Për të qenë një dialog me rezultate dhe produktiv mendoj se duhet të jetë i përgatitur në mënyrë serioze dhe në këtë kuadër, disa faktorë janë ato që duhet të realizohen para një procesi të tillë. Së pari Kosova dhe qeveria e Kosovës ende nuk i ka kompetencat e plota madje, edhe në ato çështje të cilat po theksohen si pjesë e agjendës së mundshme në të ardhmen. Prandaj mendoj se Këshilli për barjen e kompetencave dhe bashkëpunimi i UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës duhet të intensifikohet, në mënyrë që pala kosovare para se të shkojë në bisedime të ketë kompetencat e plota për çështjet të cilat do të diskutohen. Faktori i dytë është që pala kosovare duhet të ketë një konsensus politik të të gjitha institucioneve dhe subjekteve politike para se të ulet në bisedime dhe ky konsensus i shprehur konkretisht do duhej të nënkuptonte që platforma e bisedimeve për çështje praktike të diskutohet në parlament dhe të marë miratimin e parlamentit të Kosovës. Faktori i tretë është që bashkësia ndërkombëtare duhet ta konfirmojë para nisjes së bisedimeve se ambrellë apo kornizë ndërkombëtare për këto bisedime janë roli udhëheqës i SHBA-ve dhe bashkëpunimi i ngushtë i Bashkimit Evropian. Këto do të ishin disa nga faktorët thelbësorë që do ta bëjnë këtë dialog me rezultate të qëndrueshme dhe legjitime.

Intervistoi Melazim Koci
XS
SM
MD
LG