Ndërlidhjet

SHAQIRI: VENDKALIMI I RI KUFITAR I PAFAVORSHËM PËR FSHATARËT E DY ANËVE TË KUFIRIT


Sefer Tahiri, Shkup

Prej nesër zyrtarisht do të fillojë të funksionojë vendkalimi i përkohshëm kufitar në Tanushë, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
" Njerëzit e caktuar janë duke punuar me qëllim që prej nesër të fillojë funksionimi i vendkalimit kufitar në Tanushë, tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Santa Argirova. Hapja e kalimit kufitar bëhet me qëllim që të lehtësohet komunikimi midis banorëve të fshatrave kufitare të Maqedonisë, Tanushë, Brezë dhe Goshincë, me ata të Kosovës. Shërbimet e sigurimit konsiderojnë se me hapjen e këtij vendkalimi kufitar, dukshëm do të zvogëlohen kalimet ilegale, të cilat në këtë pjesë të kufirit deri tani ishin të shpeshta, për shkak të lidhjeve familjare mes banorëve të këtij rajoni si dhe për shkak të aktiviteteve jolegale. Por deputeti i kësaj zone Xhezair Shaqiri, thotë se qeveria e Maqedonisë dhe UNMIK-u nuk e kanë zgjedhur vendin adekuat për hapjen e këtij vendkalimi kufitar.
" Çdo herë për banorët atje ka vendosur Beogradi dhe Shkupi. Tashti Prishtina dhe Shkupi kanë vendosur të hapin një pikë kufitare, por jo atje ku është më afër për fshatarët. Fshati Tanushë dhe Debëllde janë një kilometër larg nga njëri tjetri, që është një largësi e vogël dhe rruga është e mirë. Megjithatë UNMIK-u dhe qeveria e Maqedonisë kanë vendosur që diku në një pjesë të Kodër Furrës ta hapin atë kufi, duke i zgjatur rrugën rreth 5 km të gjithë fshatarëve nga të dyja anët. Kështu ata nuk janë të kënaqur", thotë deputeti Shaqiri.
Fshati Tanushë gjendjet rreth 40 km larg Shkupit, ndërsa gjatë dimrit rruga për në të dhe fshatrat përreth është e pakalueshme dhe paraqet problem kryesor për furnizimin e banorëve me produkte ushqimore. Për këtë shkak ata janë të detyruar që në mënyrë ilegale ta kalojnë kufirin për të shkuar në Tregun e Vitisë së Kosovës. Ndërkohë deputeti Shaqiri nënvizon edhe një vështirësi plotësuese, të cilën e kanë banorët e Malësisë së Karadakut.
"Fshatarët e Tanushës, Malinës edhe Brezës, shumica nuk kanë pashaportë dhe pa pashaportë nuk e di se si do ta kalojnë atë kufi, i cili për më tepër do të funksionojë vetëm 9 muaj, tre muajt e dimrit nuk funksionojë", sqaron Xhezair Shaqiri.
Nga fundi i javës së kaluar, nga ana e Kosovës u dëgjuan disa të shtëna, ndërkohë që anëtarët e komisionit ndërqeveritar kanë qenë në vendin e planifikuar për hapjen e këtij vendkalimi kufitar. Megjithatë zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mirjana Kontevska thotë:
"Ky fakt nuk do të thotë se do të ndërpritet përgatitja për hapjen e vendkalimit kufitar në Tanushë, sepse ai është në interes të qytetarëve të të dy anëve të kufirit."



XS
SM
MD
LG