Ndërlidhjet

logo-print

VAZHDON SITUATA E TENSIONUAR NË DEBËLLDE


Rrahman Paçarizi, Debëllde

Deri në momentet e raportimit nuk është gjendur ndonjë zgjidhje paqësore, për të siguruar vendosjen e vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë në fshatin Debëllde të Vitisë, ku disa dhjetëra fshatarë, të cilëve nga momenti në moment po u bashkohen edhe të tjerë, kanë bllokuar hyrjen për në fshatin e tyre, duke penguar kështu policinë e UNMIK-ut që të dërgojë mjetet e nevojshme për vendkalimin e paraparë kufitar.
Paradite zyrtarët e fshatit kanë biseduar disa herë me shefin operacional të policisë së UNMIK-ut, Robert Deadlow, i cili tha se qëndrimi i banorëve të fshatit ka të bëjë me faktin se tokat e tyre mbeten matanë kufirit, por vendkalimi kufitar mundëson lëvizjen e lirë për ta.
"Mund të kuptoj qëndrimin e banorëve vendas, por kjo ka të bëjë me çështje politike. Ndërsa politika është një gjë dhe detyrat e policisë janë diçka tjetër", tha Deadlow, duke shtuar megjithatë se policia do të bëjë përpjekje që të mos përdorë forcën, por t'a zgjidhë çështjen me mjete paqësore. Ndërkohë para pak çastesh në drejtim të Debëlldesë nga Vitia është nisur një autokolonë me automjete të policisë së UNMIK-ut, të përgatitura për shpërndarjen e demonstruesve, por deri në këto momente nuk ka patur ndonjë incident, edhe pse situata është shumë e tensionuar. Kryetari i fshatit Debëllde, Hamdi Hasani tha se bisedimet kishin dështuar, mirëpo banorët nuk do të lëshonin pe ndaj kërkesave të tyre për pezullimin e vendosjes së vendkalimit kufitar në brendësi të pronave të tyre, qindra hektarë të së cilës mbeten në territorin e Maqedonisë.
"Përveçse e kam patur një telefonatë prej zyrtarit më të lartë të shtyllës së parë të UNMIK-ut, zotit Zhan Kadi, që merret me këtë çështje. Kërkoj që ne të kemi një takim me të, dhe të diskutojmë gjatë bisedimeve që punëtorët të lejohen të punojnë në ato pika. Mirëpo përgjigje në këto kërkesat tona nuk ka dhe nuk do ketë bisedime derisa të mos na dëgjohet zëri. Ne pranojmë bisedime vetëm kur të realizohet ajo pjesë që të mos punohet", tha Hamdi Hasani.
Sot ka patur protesta edhe në Viti ku banorët, që fillimisht nuk u lejuan të kalojnë nga policia e UNMIK-ut, bllokuan rrugën për disa orë, por pas shpërndarjes së tyre, forcat e policisë u nisën në drejtim të fshatit. Kuvendi komunal i Vitisë ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, ndërsa kryetari i komunës, Musa Mezini që ka vizituar fshatarët protestues tha:
" Kuvendi komunal meqë ka obligim të plotësojë kërkesat e qytetarëve, mbajti një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën nxorri vendimin që t'u drejtohet të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare, duke filluar prej Këshillit të Sigurimit, Përfaqësuesit special, administratës së UNMIK-ut, presidencës së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, qeverisë së Kosovës, që seriozisht të merren me këtë çështje kaq të mprehtë me qëllimin më të mirë që të përfillin kërkesat e të dyja palëve dhe shqetësimet e qytetarëve", tha Musa Mezini.
Gjithsesi tensionimi i situatës mund të kulmojë me incidente serioze, kanë paralajmëruar banorët e fshatit Debëllde, të cilët thanë se nuk do të lejojnë funksionimin e pikës kufitare, edhe nëse policia e UNMIK-ut arrin që me forcë të zhbllokojë rrugën drejt vendkalimit të ri kufitar, që është vendosur sipas marrëveshjes kufitare Serbi-Maqedoni nga shkurti i vitit 2001.

XS
SM
MD
LG