Ndërlidhjet

KUFIRI KOSOVË MAQEDONI DUHET TË ZGJIDHET NGA GJYKATA E STRASBURGUT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pas përfundimit të mandatit të Michael Steiner, amerikani Charles Braishow, ka marrë përkohësisht detyrën e udhëheqësit të administratës së Kombëve të Bashkuara në Kosovë, derisa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan, të caktojë përfaqësuesin e ri për Kosovën. Zoti Braishow, i cili që nga vitit 2001 mban postin e zëvendësit të parë të shefit të UNMIK-ut, tha se ndihej shumë i kënaqur për faktin se ai në Kosovë ka raporte shumë të mira me liderët vendorë, prandaj shtoi se bashkëpunimi i tij me lidershipin vendor do të bëjë që vakumi i krijuar në postin më të lartë të UNMIK-ut të mos ndihet. Braishow i ka bërë këto komente pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, ndërsa tha në vazhdim, se do t’i takonte dhe udhëheqësit e tjerë vendorë. Më pas zoti Braishow u përqëndrua në çështjen aktualisht më të ndjeshme në Kosovë, respektivisht protestat e banorëve të fshatit Debëllde për shkak të vendimit të UNMIK-ut që të hapë një pikë të re kufitare me Maqedoninë në këtë fshat:
“Besoj se të gjithë e dimë se Këshilli i Sigurimit ka bërë thirrje që ta respektojmë definimin e këtij kufiri ndërmjet Kosovës e Maqedonisë”, tha Braishow, për të shtuar se këtë qëndrim e kanë mbështetur dhe shtetet më të fuqishme, përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara. Krejt çfarë mund të bëjmë, theksoi Braishow, është që të gjendet një zgjidhje për pronarët e tokave, që ata të kenë qasje dhe të punojnë tokën e tyre në të dya anët e kufirit, pa u penguar nga askush:
“Ne do të bëjmë përpjekje që t’u mundësojmë këtyre bujqëve që të kenë qasje në tokat e tyre, dhe këto masa do t’i ndërmarrim së shpejti”, ka thënë Braishow. Ndërsa kryeparlamentari Nexhat Daci, tha shkurt se zgjidhja do të gjendet, por në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për mosnjohjen e marrëveshjes Beograd- Shkup për kufirin, në bazë të së cilës është definuar kufiri i ri me Maqedoninë. Në këtë aspekt, Xhavit Haliti, anëtar i kryesisë së Kuvendit, beson se zgjidhja për këtë çështje do të mund të kërkohet në gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut:
“Kjo do të duhej të zgjidhej në një marrëveshje mes Kosovës e Maqedonisë dhe këtë kontest duhet ta zgjidhë përfundimisht gjykata ndërkombëtare në Strasburg. Përndryshe në qoftë se mendojmë se me protesta mund të rikthehet territori, unë them se përveç zhurmës asgjë nuk mund të arrihet”,- tha Haliti.
Deputeti Haliti, e konsideroi edhe një herë këtë marrëveshje të padrejtë dhe në dëm të Kosovës, por ai u shpreh kundër formave të tjera përveç atyre institucionale, për kundërshtimin e saj.



XS
SM
MD
LG