Ndërlidhjet

FRIMOND: NË FUND TË PROCESIT TË BISEDIMEVE DO TË SHFAQET ÇËSHTJA E STATUSIT TË KOSOVËS


Zhan Frimond, drejtor i Qendrës për Studime Aplikative, Gjenevë

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shikoni fillimin e procesit të bisedimeve midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për çështjet teknike si energjetika, pensionet etj?

ZHAN FRIMOND
Mendoj se është e rëndësishme të fillohet procesi i bisedimeve. Në të njëjtën kohë të dyja palët që në fillim nuk duhet të kenë pretendime të mëdha. Procesi i negociatave duhet të jetë mjaft mirë i përgatitur si në përmbajtje ashtu dhe në mënyrën se si do të ecë procesi. Nuk kam gjithë informacion të plotë dhe thjesht supozoj se procesi do të jetë i lehtësuar në një farë pike. Do të konsideroja se palët pjesëmarrëse në bisedime serbët dhe kosovarët duhet të kenë një kontroll sa më të madh mbi bisedimet dhe do ta kenë këtë kontroll nëse vetë bisedimet shkojnë mirë dhe në mënyrë profesionale. Nëse ky proces nuk ecën në mënyrë profesionale dhe nuk është i qetë, atëherë ekziston rreziku që bashkësia ndërkombëtare ta marrë në dorë procesin gjë që nuk do të ishte shumë e dobishme. Prandaj insistoj në diçka. Një përgatitje shumë solide e cila do përqëndrohet vetëm në çështjet teknike. Në këtë fazë nuk duhet menduar mbi çështjet politike të cilat janë shumë të vështira.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush mund ta lehtësojë, kush duhet të ndihmojë në lehtësimin e bisedimeve?

ZHAN FRIMOND
Shpresoj që procesi vetëm do të lehtësohet dhe nuk do të ketë ndonjë rindërmjetësim. Lehtësimi ka të bëjë me procesin, ndërmjetësimi ka të bëjë me përmbajtjen. Kush mund ta bëjë dhe do ta bëjë këtë? Ajo që shikoj është se kryeadministratori i Kosovës, do ta bëjë këtë, vetë ose me ndihmën e këshilltarëve të tij, por në përgjithësi do të jetë nën çadrën e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Nuk shikoj që politikisht do të jetë ndryshe. Mund ta kishit ndryshe nëse nga ana e tyre, me iniciativën e tyre, serbët dhe kosovarët do të pajtoheshin t'i kërkojnë dikujt të lehtësojë bisedimet, por kjo do të thoshte një marrëveshje e cila për mendimin tim nuk ka gjasë që të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
A është ky proces bisedimesh rrjedhojë e presionit gjithnjë e mtë madh nga bashkësia ndërkombëtare apo rezultat i vullnetit të mirë të palëve biseduese?

ZHAN FRIMOND
Mendoj që të dyja qëndrojnë. Bashkësia ndërkombëtare ushtroi presion, por në të njëjtën kohë ka një interes në rritje si në Beograd, ashtu dhe në Prishtinë. Nuk jam shumë i sigurt nëse sinjalet në rritje tregojnë që procesi i përgatitjes për bisedime të tilla ka përfunduar. Ajo që ju i quajtët sinjale në rritje është më tepër një padurim në rritje. Kjo duket mjaft qartë në palën kosovare. Por nuk është dhe aq e qartë në anën e Beogradit, edhe pse pas vrasjes së Gjinxhiçit gjërat kanë lëvizur mjaft shpejt aty, pra sinjalet që janë dhënë. Pra po, për presionin nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, po për padurimin në rritje, por gjithsesi patja e presionit nga njëra anë dhe padurimi nga ana tjetër nuk do të thotë që ju duhet të nxitoni në bisedime. Vërtet duhet të keni disa baza para se të shkoni në bisedime solide.

RADIO EVROPA E LIRË
A mundet që ky proces të çojë në çështjen e statusit final të Kosovës, i cili për të dyja palët biseduese duket të jetë i rëndësisë madhore?

ZHAN FRIMOND
Në fund të procesit do të shfaqet çështja e një statusi final për Kosovën. E shikoni, ka diçka që ka munguar deri tani në gjithçka që kam parë. Nuk ka vizion se si do të jetë rajoni pas 5 apo 10 vjetësh. Nuk ka një vizion të përbashkët dhe kur flas për rajonin nuk e kam fjalën vetëm për një lloj marrëdhënie bilaterale mes Serbisë dhe Kosovës, por gjithashtu cili do të jetë roli dhe vendi i Maqedonisë në rajon, cili do jetë vendi dhe roli i Malit të Zi. Ajo që mendoj se është e domosdoshme është krijimi i një vizioni të përbashkët për rajonin se si do jetë për 10 vjet dhe në bazë të këtij vizioni dikush do të shikojë daljen në pah të konceptit të statusit final. Sepse nuk do të ketë një status final në një vakum, nëse nuk do ta dini se si rajoni do të jetë në një të ardhme. Nuk mund të keni një status final nëse nuk do ta dini se si do t'i menaxhoni kufijtë, lidhjet tregtare, bashkëpunimin në fushën e energjetikës, etj. Pra ka një lidhje mjaft të ngushtë mes çështjeve teknike që duhen trajtuar dhe statusit final.

Intervistoi Lulzim Mjeku

XS
SM
MD
LG