Ndërlidhjet

RUGOVA: TMK-JA NË NJË FAZË TJETËR DO TË JETË FORCË MBROJTËSE E KOSOVËS


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Trupat mbrojtëse të Kosovës në një fazë tjetër do të jenë forcë mbrojtëse e Kosovës, ka thënë kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, pas takimit që pati me komandantin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Gjeneral-lejtnant Agim Çekun. Zoti Rugova e siguroi zotin Çeku se gëzon mbështetjen e presidencës dhe të institucioneve të Kosovës dhe do të ndihmojë që kjo organizatë të jetë profesionale dhe t'i përfundojë të gjitha detyrat që ka para vetes.
"Ne shikojmë që TMK-së t’i krijojmë kushte dhe mundësi materiale që të zhvillohet. Po ashtu janë të rëndësishme edhe donacionet e shumë vendeve të botës, sidomos evropiane dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës që kanë ndihmuar për zhvillim e saj" ka thënë kryetari Rugova.
Gjeneral Agim Çeku, bëri të ditur se e ka informuar kryetarin Rugova, me ecurinë e aktiviteteve dhe zhvillimet e fundit në Trupat Mbrojtëse. Ai po ashtu e ka njoftuar edhe më përpjekjet e kësaj organizate dhe të grupit punues për zhvillimin e saj që TMK-ja të avancohet më shumë në rolin e saj.
"TMK-ja është ende kompetencë e rezervuar e përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, por, pa marrë parasysh këtë, në radhë të parë TMK-ja është institucion i Kosovës dhe ne gjithësesi në agjendën tonë kemi ndërtimin e marrëdhënieve institucionale më të gjitha institucionet e Kosovës dhe këto institucione do t'i informojmë për zhvillimet në TMK", tha zoti Çeku.
Ndryshe, ai është i sigurtë se më bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës dhe të popullit të saj, do të arrijë qëllimet e veta. Sidoqoftë, ditë më parë grupi i lartë punues për zhvillimin e TMK-së në të cilin kanë marrë pjesë autoritetet e larta ndërkombëtare dhe udhëheqësit e kësaj organizate është marrë vendim se TMK-ja duhet të kryejë detyrat e saj në pajtueshmëri me mandatin që tashmë i është përcaktuar si organizatë civile.

XS
SM
MD
LG