Ndërlidhjet

NË DEBËLLDE NDËRPRITEN PROTESTAT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës Bajram Rexhepi, u ka bërë thirrje sot qytetarëve të komunës së Vitisë dhe më konkretisht banorëve të zonës kufitare me Maqedoninë në fshatin Debëllde, që të përmbahen dhe të mos shkaktojnë inicidente apo ndonjë konflikt të padëshiruar. Kryeministri Rexhepi, tha se ai e mbështet Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila nuk e njeh marrëveshjen Beograd – Shkup për kufirin, por theksoi se nuk dëshiron që të ketë ngritje tensionesh në brezin kufitar. Këto komente, Rexhepi i ka bërë pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës, ku ishte diskutuar dhe gjendja e krijuar në Debëllde, pas përpjekjeve të autoriteteve ndërkombëtare që atje në vënë një pikë të re kufitare me Maqedoninë:

“Duhet t’i rikonfirmojmë qëndrimet e mëparshme se qëndrojmë prapa rezolutës së Parlamentit dhe ajo pikë kufitare që do të hapet eventualisht, është çështje e qytetarëve të asaj zone nëse do t'a shfytëzojnë apo jo. Ajo mendohet se është për interesin e tyre dhe nëse është për interesin e tyre ata kanë mundësi ta shfrytëzojnë ose ta refuzojnë një gjë të tillë”, tha kryeministri Rexhepi, për të shtuar se ai dhe Qeveria e tij, do të angazhohen që pronarëve të tokës përgjaë brezit kufitar t’u lejohet qasje në pronat e tyre dhe njëkohësisht të ndihmohen me mjete nga Qeveria. Kryeministri tha se çështja e kufinjve dhe pikave kufitare, u përket kompetencave të rezervuara për UNMIK-un, prandaj ai u angazhua për veprime vetëm në aspekte humane të ofrimit të ndihmës për banorët e atjeshëm.
“Qeveria e Kosovës nuk hyn aty ku nuk është nën kompetencën e saj, pra ajo është marrëveshje mes UNMIK-ut dhe Qeverisë së IRJM-së. Ne e konfirmojmë edhe një herë qëndrimin tonë, që atyre banorëve t’u mundësohet një qasje e lirë për pronat e tyre që t’i shfrytëzojnë. Dhe nëse do t'a shfrytëzojnë atë pikë kufitare apo jo, është çështje e tyre dhe askush me dhunë nuk mundet t’i detyrojë”, theksoi Rexhepi.
Përndryshe edhe sot nën organizimin e strukturave lokale të komunës së Vitisë, janë mbajtur protesta në shenjë pakënaqësie me vendimin e UNMIK-ut për hapjen e pikës kufitare në fshatin Debëllde. Mirëpo, pas bisedimeve të zhvilluara ndërmjet autoriteteve lokale dhe atyre të UNMIK-ut, protestat janë ndërprerë, ndërsa janë menjanuar dhe bllokadat e rrugëve në fshatin Debëllde, pasi autoritetet e UNMIK-ut u kanë premtuar banorëve të atjeshëm se do të pezullojnë përkohësisht punën në ngritjen e kësaj pike kufitare.



XS
SM
MD
LG