Ndërlidhjet

ALLEN KASSOF: MENDOJ SE GJËRAT KANË LËVIZUR PËRPARA NË KOSOVË


"E dimë që shqiptarët e Kosovës me padurim presin që të qartësohet statusi final, për të cilin ata nuk kanë kurrfarë mëdyshje se duhet të jetë pavarësia e plotë. Por ka disa pengesa mjaft të mëdha për arritjen e kësaj gjëje" – thotë Allen Kassof, udhëheqës i Projektit për marrëdhënie etnike me seli në Princeton (SHBA).

RADIO EVROPA E LIRË
Si udhëheqës i Projektit për Marrëdhënie Etnike ju keni qenë disa herë në Prishtinë. Mandati i kryeadministratorit të Kombeve të Bashkuara ka përfunduar. Nga këndvështrimi juaj, si i vlerësoni ju të arriturat e zotit Steiner gjatë mandatit të tij?

ALLEN KASSOF
Mendoj se çdokush e ka kuptuar se Steineri kishte një detyrë shumë të vështirë, ishte midis dy palëve, kështu që edhe nga vetë natyra e postit ishte mjaft e vështirë për të që të kishte miratimin e plotë të opinionit shqiptar nga njëra anë dhe të opinionit serb nga ana tjetër. Megjithatë mendoj se gjërat kanë lëvizur përpara në Kosovë dhe duhet të presim të shohim arritjet e ardhshme të Unmikut. Kushdo që do të vijë në postin e kryeadministratorit do të duhet të jetë i preokupuar me problemin e bisedimeve rreth statusit final të Kosovës. Meqënëse ka kaluar njëfarë kohe, natyrisht ka një presion më të madh për të arritur një lloj zgjidhjeje në këtë çështje. Kjo mendoj se do të jetë ngarkesa e shefit të ri të Unmikut.


RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtaë të lartë ndërkombëtarë thonë se gjatë korrikut ne do ti shohim bisedat për çështje praktike ndërmet Prishtinës e Beogradit. Si i vlerësoni këto biseda?

ALLEN KASSOF
Mendoj se së pari këto bisedime do të mbahen pak më vonë, pasi përshtypja ime, pas bisedave me lidershipin, është se palët nuk janë ende krejtësisht të përgatitura për bisedime, përgatitjet nuk kishin përfunduar, dhe ka shumë mundësi që të mos mbahen në korrik, por pas përfundimit të verës. Siç e dini, Projekti për marrëdhënie etnike mbajti një takim të gjerë për "Shqiptarët dhe fqinjët e tyre" në Lucern në nëntor 2002. Ai ishte faktikisht takimi i parë i drejtpërdrejtë mes zyrtarëve të Beogradit dhe liderëve të Kosovës. Por këto bisedime u ndërprenë kur në Prishtinë u krijua një mosmarrëveshje politike sa u përket këtyre kontakteve të krijuara… por në fakt, ne pamë fillimet e këtyre bisedimeve. Të dy palët sugjeruan se përveç bisedimeve teknike, çështjes së kthimit të të shpërngulurve, dhe pretendimet se çfarë duhet të marrë secila palë, duhet edhe një agjendë politike, të cilën, palët në një mënyrë, e kishin bërë edhe para takimit të Selanikut. Dhe mendoj se agjenda që ata do të diskutojnë, çfarëdoqoftë ajo, duket disi si agjenda që ata fillimisht e planifikuan për takimin në Lucern. Në atë kohë kur ata bënë një listë të temave që mendonin se do të ishte e dobishme të diskutoheshin, të dy palët megjithatë thanë se nuk do të ishin kompetent të diskutonin çështjen që lidhej me statusin final të Kosovës, sepse kjo ishte diçka që do duhej të bëhej nga bashkësia ndërkombëtare. Në fakt në praktikë besoj se secila palë do të ishte e interesuar t'i dëshmonte palës tjetër një lloj profili të një statusi të ardhshëm apo marrëdhënieje të ardhshme. Por megjithatë të dyja palët e pranojnë faktin se çështja e statusit nuk do të jetë tema kryesore e bisedimeve mes tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët statusin final të Kosovës. Gjatë fundjavës së kaluar, zoti Steiner tha se procesi i statusit final të Kosovës do të vendoset brenda pesë viteve të ardhshme. Çka mendoni, a do të ndodhë kjo?

ALLEN KASSOF
Pesë vjet janë një kohë e gjatë dhe më duket si mjaft e mundshme që një gjë e tillë të ndodhë. Mund edhe të zgjidhet pas 5 vjetëve ose edhe pak më herët, megjithatë kjo periudhë më duket si më e pranueshme për një spekulim të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush do të vendos për këtë çështje, për çështjen e statusit final të Kosovës?

ALLEN KASSOF
Mendoj se do të ketë një numër faktorësh që do të marrin pjesë në këtë proces. Do të ketë një ndërmarrje zyrtare nga bashkësia ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara etj. E dimë që shqiptarët e Kosovës me padurim presin që të qartësohet statusi final, për të cilin ata nuk kanë kurrfarë mëdyshje se duhet të jetë pavarësia e plotë. Por ka disa pengesa mjaft të mëdha për arritjen e kësaj gjëje. Së pari, çështja se çfarë të drejtash mund të ketë Serbia në këtë temë, çështja mjaft emocionale e të kthyerve dhe sigurisë për serbët dhe shumë prej këtyre çështjeve do të duhet të trajtohen me më shumë efektivitet se deri tash, para se të flitet për zgjidhjen e statusit përfundimtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë roli do të ketë për shembull komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian?

ALLEN KASSOF
Mendoj se ata do të duhet të marrin disa vendime, se si ta minimizojnë dëmin që në mënyrë të paevitueshme do të ndodhë nga çfarëdolloj vendimi që do të merret. Është mjaft e vështirë të planifikohet një strategji e veçantë racionale dalëse për këtë situatë. Nëse për shembull opcioni i pavarësisë së plotë dhe integritetit teritorial do të arrihet për Kosovën, do të jetë e pamundur që të mos ketë reperkusione në Serbi, ndoshta një ngjallje të nacionalizmit serb, do të kishte gjithashtu disa kufizime për situatën në Maqedoni. Nga ana tjetër mund të ndodhë edhe ndarja e cila do të ishte kundër instiktit të komunitetit ndërkombëtar për integrimin ndëretnik dhe do të ishte një burim konflikti brenda vetë Kosovës. Pra komuniteti ndërkombëtar do të duhet të përballet brenda këtyre viteve me atë që e unë e quaj "një fiksion shumë inventiv – kreativ", në përpjekje për të plotësuar nevojat thelbësore të të dy palëve. Më lejoni të them edhe diçka tjetër. Në tryezën e rrumbullakët që patëm me lidershipin në Prishtinë më 25 qershor, ku sollëm së bashku të gjithë liderët kryesorë politikë të Kosovës dhe përfaqësuesit e komuniteteve të pakicave, çështja thelbësore që u trajtua ishte çështja e kthimit. Kjo është një çështje absolutisht kritike, e cila ende nuk është zgjidhur. Ashtu siç mund ta dini qeveria e Kosovës publikoi një thirrje përmes së cilës u theksua aspirata për një shoqëri multietnike në Kosovë dhe u ftuan të gjithë të shpërngulurit që të kthehen. Por nëse ende nuk do të arrijnë ta menaxhojnë çështjen e të kthyerve, në një nivel të arsyeshëm, mendoj se kjo do të bëhet një çështje tejet e ndjeshme në diskutimin për statusin final, madje jo vetëm për të kthyerit, por edhe për sigurinë për pakicat që tashmë jetojnë atje.
Intervistoi Fatmir BUJUPI.
XS
SM
MD
LG