Ndërlidhjet

NË FSHATIN TANUSHË VAZHDON BLLOKADA E RRUGËS


Sefer Tahiri, Shkup

Edhe më tej vazhdon bllokimi i rrugës që çon për në fshatin Tanushë, me qëllim që të pamundësohet hapja e vendkalimit kufitar me fshatin Debëllde. Ismail Ibrahimi, përfaqësues i banorëve të Tanushës, njoftoi për Evropën e Lirë se banorët e Tanushës, Malinës dhe Brezës e bëjnë këtë për shkak se vendi ku duan ta hapin vendkalimin është në largësi të madhe nga fshati Tanushë, rreth 7 kilometra. Ai thotë se lokacioni i propozuar nga banorët e Tanushës është i pranueshëm për banorët e të dyja anëve të kufirit.
" Këtu e dëshirojmë dhe këtu e kemi kërkuar dhe kjo ka qenë në një projektplan prej vitit 1999, një vendim i qeverisë që të rregullohet rruga për në fshatin Tanushë dhe të hapet pika kufitare këtu, në këtë pikë", thotë Ibrahimi.
Ndërkohë këshilltari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme Lubçe Arsovski lidhur me vendimin e hapjes së vendkalimit kufitar thotë se zyrtarisht askush nuk ka kërkuar që vendkalimi të vendoset në vendin ku propozojnë banorët e kësaj ane.
" Gjatë dy muajve që zgjatën përgatitjet për hapjen e vendkalimit kufitar që do të ketë karakter të përkohshëm, nuk pranuam asnjë vërrejtje me shkrim dhe asnjë udhëheqës lokal nuk erdhi të na paralajmërojë se nuk do t'a pranojnë vendosjen e vendkalimit kufitar në afërsi të Kodrës së Furrës", tha Arsovski. Por Ismail Ibrahimi, përfaqësues i banorëve të Tanushës tha se qeveria nuk i ka njoftuar fare për vendosjen e vendkalimit kufitar që parasheh marrëveshja mes Republikës së Maqedonisë dhe UNMIK-ut.
" Ne jemi këtu për shkak të problemit të hapjes së pikës kufitare, e cila aty ku është paraparë prej qeverisë pa marrëveshjen e qytetarëve është e papranueshme", thotë Ibrahimi.
Ndërkohë përfaqësuesit ndërkombëtare thonë se zyrtarët politikë të vendit dhe të jashtëm nuk arritën të bindin banorët për të zhbllokuar rrugën.
" Bëhet fjalë për problem lokal dhe ne i përshëndesim përpjekjet e qeverisë për hapjen e këtij vendkalimi kufitar, që bëhet me kërkesën e qytetarëve. Ndërsa bllokadat e rrugëve nuk janë mënyrë efikase për të arritur diçka, " tha zëdhënësi i OSBE-së Shenker. Ndërsa zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Irena Gjuzelova, duke iu përgjigjur pyetjes nëse kanë lidhshmëri politike protestat e banorëve të Tanushës dhe Debëlldesë, deklaroi:
" Mendoj se qytetarët si duket ngatërrojnë demarkacionin e kufirit me vendkalimin kufitar, të cilin e ka ofruar si zgjidhje qeveria", tha Gjuzelova.

XS
SM
MD
LG