Ndërlidhjet

UNDP: ARMËT E PALIGJSHME RREZIK PËR SHOQËRINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Më shumë se 300 000 armë të vogla mbahen në Kosovë në mënyrë të paligjshme dhe kjo rrezikon shoqërinë që po ndërtohet këtu, kanë vlerësuar zyrtarë të programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP, të cilët kanë kumtuar rezultatet e një hulumtimi 1 vjeçar për armët e paligjshme në Kosovë dhe për edukimin e popullatës për kulturën e armëmbajtjes. Robert Pajper, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë tha se rezultatet janë alarmante.
" Sipas vlerësimeve tona në Kosovë janë prej 330 000- 460 000 armë të vogla të cilat mbahen ilegalisht që do të thotë se përafërsisht 2 nga tre familje posedon armë", tha zoti Pajper. Studimi i UNDP-së thotë se shërbimi policor i Kosovës ka 5200 armë , TMK-ja prej 200- 3000, formacionet serbe prej 200-400 armë, formacionet shqiptare në Kosovë prej 11 800- 15 800, dhe 330 000 deri në 460 000 armë janë në duart e civilëve.
Duke vlerësuar rrezikshmërinë e armëmbajtjes pa leje, komandanti i KFOR-it, gjeneral Fabio Mini tha:
" Armët e rregjistruara sipas ligjit kanë vend në shoqërinë civile, mirëpo për të mirën e përgjithshme ky vend duhet të jetë i rezervuar për shërbimet publike, për autoritetet e duhura të shoqërisë dhe jo për civilët", tha gjenerali Mini, duke shtuar se një pjesë e armëve të konfiskuara nga forcat paqeruajtëse është pjesë e trafikut që kalon nëpër Kosovë, mirëpo një pjesë tjetër zbulohet ose është e lidhur me persona të cilët janë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe terroriste. Ndërkaq kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, tha se tani nuk ka arsye që civilët të mbajnë armë ilegale.
Zyrtari i UNDP-së Pajper tha se egziston një ndjenjë e përgjithshme në mesin e qytetarëve të Kosovës se duhet bërë diçka për të penguar këtë dukuri.
" 50 % e 12 mijë qytetarëve të Kosovës që janë përfshirë në hulumtimin e UNDP-së kanë thënë se ka shumë armë në shoqëri ndërsa 70 % e të intervistuarve i shohin armët si një rrezik të konsiderueshëm për familjet e tyre", tha Pajper. Ai tha se që nga viti 1999, 7 000 armë janë shkatërruar ndërsa 22 000 janë rregjistruar nga gjahtarët dhe nga ata që i mbajnë armët për vetëmbrojtje, por pavarësisht nga kjo më shumë se 300 mijë armë mbahen jashtë kufijve ligjorë.

XS
SM
MD
LG