Ndërlidhjet

P. MOORE:"STATUSI BASHK ME STANDARDET"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, shefi i deritashëm i Zyrës amerikane në Prishtinë Rino Harnish, ka thënë se letra e liderëve kosovarë dërguar të zhvendosurve që të kthehen është e një rëndësie historike. Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Në çdo fushë të jetës fjalët janë një gjë dhe veprimet diçka tjetër. Sigurisht që të gjithë mund të vlerësojmë se kemi patur dy nga njerëzit më të fuqishëm në Kosovë së bashku me përfaqësuesin amerikan që bënë vizitën e tyre në Ferizaj dhe që e bënë këtë deklaratë. Kjo është vërtet shumë e rëndësishme, por ajo që na mbetet të shohim janë efektet e këtyre deklaratave të bëra gjatë kësaj vizite në sjelljen e njerëzve si të shqiptarëve ashtu dhe serbëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i deritashëm i UNMIK-ut, Michael Steiner, pikënisje ka patur parimin "Standardet para statusit". Tani paraqiten ata, siç është Rino Harnish, që thonë se ky parim duhet sublimuar në formulimin "Standartet krahas statusit", madje edhe ata siç është Kristin fon Kohl që thonë "Së pari statusi pastaj standardet". Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Që nga fillimi, menjëherë pas përfundimit të sundimit serb në Kosovë në vitin 1999 çështja që u vu në plan të parë nga akademiku gjerman Stefan Truibst, është ndoshta rruga më e mirë për t'u ndjekur. Ajo që thoshte akademiku gjerman ishte se derisa të mos qartësohet statusi do të ketë pasiguri, dyshime, dhe deri sa kjo gjendje të vazhdojë do të krijohet terreni më i mirë për frikën, për krimet, për nacionalistët, për kriminelët e organizuar. Dhe do të thoja që sa më shpejt që të përcaktohet statusi final, aq më mirë është. Nga ana tjetër qëndron fakti se askush nuk do t'ja ofrojë Kosovës pavarësinë në një pjatë argjendi. Kosovarët duhet ta fitojnë atë dhe në rradhë të parë bazuar në faktin se si i trajtojnë pakicat, veçanërisht atë serbe. Prandaj duke sqaruar çështjen e statusit, e që mund të jetë vetëm pavarësia, kjo nuk do të thotë se kosovarët do të jenë në gjendje që të neglizhojnë detyrat e tyre sa i përket pakicave, sa i përket korrupsionit, kontrollimit të krimit të organizuar si dhe pikave të tjera të formulës së Steinerit. Prandaj do të thoja që së pari duhet të sqarohet statusi, por njëkohësisht me këtë do duhet të ecet përpara edhe me çështjen e standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Prishtinë këto ditë pritet të arrijë shefi i ri i UNMIK-ut. Çfarë mund të pritet nga ai? Dinamikë e re, qasje tjetër apo vazhdim i llogjikës së deritanishme të gjërave?

PATRICK MOORE
Natyra e pyetjes suaj tregon një çështje mjaft të rëndësishme që ka të bëjë me faktorin e personalitetetit të individit që është shef i administratës. Për çfarë personi dhe për çfarë funksioni po bëjmë fjalë? Kemi parë që në vitin 1995 në një numër vendesh të ish-Jugosllavisë se komuniteti ndërkombëtar i tanishëm apo Fuqitë e Mëdha të dikurshme kanë emëruar mbretër të vegjël ose zëvendës të mbretit për të menaxhuar gjërat në zona të ndryshme të krizave. Më përpara ishte Sllavonia Lindore, tash akoma është Bosnje Hercegovina dhe Kosova. Përmenda Sllavoninë lindore, që shpesh herë njerëzit e harrojnë, pasi ishte një sukses dhe një nga arsyet pse ishte sukses ishte pasi zëvendës mbreti i komunitetit ndërkombëtar atje, amerikani i lindur në Francë gjenerali Zhak Klain, u tregua i aftë për të bërë një punë shumë të mirë. Falë personalitetit të tij dinamik, mundësisë për të dalë jashtë dhe për të bindur serbët se kishin një të ardhme aty. Nëse ju kujtohet çdo të dielë ai e kalonte në kishën serbe dhe u fliste njerëzve atje. Ky ishte ai kryeadministrator që arriti të fitonte besimin e njerëzve në atë krahinë. Kemi parë administratorë të tjerë në Bosnje dhe Kosovë që kanë qenë, disa më të suksesshëm, disa më pak të suksesshëm. Dhe prandaj ajo që do thoja për pyetjen tuaj, lidhur me dinamikën, afëtsinë për të zotëruar llogjikën e gjërave, kjo do të varet shumë nga formati i personalitetit të kryeadministratorit. Nëse do të jetë një person i rezervuar, ose dikush që prezanton imazhin e dobësisë, ndoshta dikush kultura e të cilit është shumë e largët nga kultura e Ballkanit, ky person nuk do ta ketë aspak të lehtë. Nëse do vijë dikush që nuk do mendojë për Kosovën dhe Ballkanin por për rikthimin në Evropën Perëndimore, dhe rifillimin e karierrës së tij, atëhere do të ketë probleme. Ajo që shpresoj është se në Kosovë do vijë dikush që do ketë një sens të lartë detyre, një nivel të lartë për kulturën e vendit me të cilin do të përballet, një person i aftë për të bërë një detyrën po aq të mirë sa ajo e gjeneralit Klain në Sllavoni. Më vjen keq që gjenerali Klain është caktuar për në Liberi dhe nuk ka mundësi të vijë në Kosovë. Ndoshta do të jetë dikush nga Bashkimi Evropian meqënëse është donatori më i madh në Kosovë, por mendoj se nuk është ende vonë për të shpresuar që mund të jetë nga ndonjë vend tjetër, i cili e njeh kulturën, e njeh mentalitetin dhe është i aftë të jetë një person efektiv. Shumë gjëra varen nga vetë personaliteti.
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG