Ndërlidhjet

PERSONAT E ZHDUKUR NË IRAK


Rreth 100 varre masive janë gjetur deri tani në Irak, të cilat përmbajnë eshtrat e viktimave të regjimit të Sadam Huseinit në këto 24 vite. Personat e humbur në Irak i takojnë disa kategorive. Shumica e tyre i takojnë luftrave të vitit 1980-88 mes Irakut dhe Iranit si dhe luftës me Kuvajtin në vitin 1991.
Shumica e personave të zhdukur janë kurdë nga pjesa veriore e vendit, ku Sadami organizoi fushatën Anfal, si shenjë hakmarrje ndaj kurdëve, të cilët mbështetët Iranin gjatë luftës mes dy vendeve.
Vetëm në vitin 1988, sipas Human Right Watch u ekzekutuan 100 mijë kurdë, ndërsa numri i viktimave të operacionit Anfal sipas burimeve kurde ishte 182 mijë kurdë.
Ndërsa në varret masive të zbuluara së fundi në qytetet e Hillës dhe Musajibit, besohet se janë eshtrat e 3500 viktimave shiite. Burimet kuvajtiane llogarisin 600 njerëz si të burgosur lufte nga Iraku, që nga koha e pushtimit iraskian të Kuvajtit më 1990. Pol Van Zil nga Qendra për Drejtësitë në tranzicion mbi këtë temë thotë:
"Kjo është një nga tmerret që ne po fillojmë të zbulojmë. Ka pasur shumë faza gjatë të cilave është bërë rezistencë ndaj regjimit të Irakut", thotë Zil.
Ndërkaq grupet e të drejtave të njeriut dhe ekspertë irakianë llogarisin se numri i personave të zhdukur nga regjimi i Sadam Huseinit është rreth 300 mijë vetë. Mona Rishmavi, këshilltare pranë komisionerit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Bagdat sqaron:
"Askush nuk i di shifrat e sakta. Njerëzit sjellin shifra të ndryshme. Mendoj se numri i të zhdukurve është diku mes 200 mijë dhe 300 mijë vetëve, dhe besoj se nuk është i tepruar", thotë Rishmavi.
Ndërkaq zëvendësambasadori kuvajtian në Kombet e Bashkuara Mansur al Otaibi thotë se dhe vendi i tij po kërkon marrjen e informacioneve mbi fatin e kuvajtianëve, të cilët ishin të burgosur lufte nga Iraku në vitin 1990.
"Pas 13 vitesh ne shpresojmë të shohim së paku një person të gjallë prej tyre. Kjo është një çështje humanitare dhe ne vazhdimisht këmbëngulim në këtë. Nëse vizitoni familjet e personave të zhdukur në Kuvajt ju shihni agoninë që po jetojnë këto familje. Ne shpresojmë se pas rënies së regjimit në Irak të mësohet fati i tyre", thotë zëvendësambasadori i Kuvajtit në OKB. Më tej ai shton: "Është tragjedi. Është e pabesueshme të shohësh arabët, pasi ishte një regjim arab, të shohësh myslimanët, që t'i bëjnë një gjë të tillë popullit të vet dhe fqinjëve arabë".
Ndërsa për familjet kurde në veri të Irakut ideja e personave te zhdukur sjell kujtime të rënda.
Jano Rosebiani regjisor kurd thotë:
"Çdo kurd apo familje që ka pasur tragjedi të tilla, kujtimi për të zhdukurit do t'i mbysë në lot. Ata jetojnë me këtë dhimbje. Megjithatë ata e dinë se gjetja e eshtrave të më të dashurve nuk do ta përmirësojë gjendjen e tyre", thotë regjisori kurd Rosebian.



XS
SM
MD
LG