Ndërlidhjet

logo-print

SHBA-TË DO MARRIN PJESË NË BISEDIMET TEKNIKE KOSOVË- SERBI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dy zyrtarë të lartë amerikanë, ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshow dhe shefi i zyrës amerikane Reno Harnish i kanë lavdëruar sot institucionet e Kosovës për mbështetjen e procesit të kthimit të të zhvendosurve dhe kanë kërkuar nga institucionet që të përgatiten për bisedime me Beogradin për çështje teknike. Fillimisht, zoti Brayshow është takuar me kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova, i cili tha se situata e sigurisë po shënonte përparime të dukshme:
“Biseduam për gjendjen në Kosovë, ku gjendja e sigurisë është gjithsesi më e mirë dhe po ashtu për probleme të përditshme se si t’i avancojmë çështjet ekonomike dhe të zhvillimit në Kosovë dhe të gjithë pajtohemi për progresin e arritur dhe se tani duhet të shkojmë më tutje”, tha kryetari Rugova.
Edhe zoti Brayshow tha se niveli i krimit në Kosovë po bie vazhdimisht dhe kjo më së shumti është meritë e shërbimit Policor të Kosovës, që po kryen një punë të mirë, përderisa numri i policisë ndërkombëtare po zvogëlohet. Ai ka lavdëruar kryetarin Rugova për pjesëmarrjen në deklaratat në mbështetje të kthimit të të zhvendosurve dhe për faktin që bashkë me shefin e zyrës amerikane Harnish ka shkuar në Ferizaj për të dëgjuar brengat dhe shqetësimet e pakicave:
“Ne biseduam se si angazhimi i qeverisë demonstron përkushtimin e fuqishëm dhe të palëkundur të popullit të Kosovës për të siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës të mund të jetojnë këtu në paqe dhe siguri," tha zoti Brayshow, ndërkohë që lidhur me mbështetjen për kthimin e pakicave, institucionet e Kosovës i ka lavdëruar sot edhe shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Reno Harnish, pas një takimi lamtumire me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacin. Zoti Harnish tha se institucionet e Kosovës do të kenë dy detyra të rëndësishme gjatë kësaj vere. Njëra është operacionalizimi i arritjes së tetë standardeve dhe e dyta është përgatitja për të biseduar dhe menduar për bisedimet e drejpërdrejta, të cilët duhet të fillojnë shpejt: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë pikërisht aty, për të marrë pjesë në këto bisedime”, ka thënë zoti Harnish, sipas të cilit edhe nëse bisedimet nuk fillojnë para shtatorit, duhen bërë përgatitjet e nevojshme për këtë.
Lidhur me bisedimet, bashkëbiseduesi i parë i sotëm i zotit Harnish, kryeparlamentari Nexhat Daci tha se institucionet e Kosovës e mbështesin qëndrimin amerikan për biseda të hapura:
“Unë i premtova se ne do të marrim pjesë në bisedimet teknike me Beogradin dhe që do jemi të përgatitur dhe jo inferiorë. Qeveria jonë do ta ketë përkrahjen e institucioneve për t'a bërë punën që duhet ta bëjë”, tha zoti Daci, duke e falënderuar zotin Harnish për bashkëpunim e deritashëm.
Ndërkaq, bashkëbiseduesi tjetër i zotit Harnish, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi lidhur me bisedimet e paralajmëruara tha:
“Më gëzon fakti se SHBA do të marrin rol të rëndësishëm në procesin e negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në mënyrë që të krijohen kushtet dhe rrethanat e rëndësishme për të dy vendet për t’u integruar në familjen evropiane”, tha z. Thaçi.
Zoti Reno Harnish i jep fund mandatit të tij si shef i zyrës amerikane në Prishtinë, të enjten më 16 korrik, për të shkuar ambasador i SHBA në Azerbajxhan, ndërkohë që në vend të tij, në fund të korrikut do të vijë shefja e re e zyrës amerikane Marcy Reece.
XS
SM
MD
LG