Ndërlidhjet

logo-print

KOMISIONI EVROPIAN MIRATON PLANIN VJETOR PËR SHQIPËRINË


Augustin Palokaj, Bruksel

Komisioni Evropian ka aprovuar sot në Bruksel programin vjetor dedikuar Republikës së Shqipërisë në kuadër të programit CART dhe në të ka paraqitur edhe prioritetet, në të cilat duhen shpenzuar shumat e caktuara të mjeteve financiare. Është vendosur që Shqipëria nga buxheti i BE-së në kuadrin e programit vjetor për vitin 2003 të marrë 46.5 milion Euro që do të shpenzohen për reformat dhe modernizimin e Shqipërisë në mënyrë që ajo t'u afrohet standarteve të nevojshme për integrim gradual në Bashkimin Evropian. Mirëpo siç është thënë disa herë këtu në Bruksel, Komisioni Evropian si mungesën më të madhe ende konsideron krimin e organizuar. Për këtë arsye edhe BE-ja ka caktuar që nga kjo shumë, 20 milion Euro të dedikohen për luftë kundër krimit të organizuar, për vendosjen e rendit dhe forcimin e ligjit atje. Më saktësisht këto mjete do të investohen në renovimin e dy gjykatave të apelit në Vlorë dhe në Korçë dhe ndërtimin e një gjykate për krime serioze në Tiranë. Mjetet e tjera të dhëna këtë vit nga Komisioni Evropian, do të shpenzohen për mbështetjen e administrimit publik, pra rreth 8 milion Euro dhe po ashtu për përmirësimin e mbledhjes së taksave, të cilat sigurojnë të ardhurat për shtetin shqiptar. 17.5 milion Euro Shqipëria do të marrë nga BE-ja për zhvillimin ekonomik dhe për mbështetjen e komuniteteve lokale ndërsa 1 milion për demokratizimin e shoqërisë civile. Në këtë shumë të aprovuar sot nga Komisioni Evropian, asistenca teknike e BE-së për Shqipërinë që kur është vendosur programi Cart në vitin 2001, ka arritur shifrën prej 128 milion Eurosh. Shqipëria përveç kësaj ka qasje edhe në kreditë e volitshme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pastaj të Bankës Evropiane të Investimeve, që shfrytëzohen për ndërtimet e rrugëve dhe infrastrukturës. Shqipëria është duke vazhduar negociatat me Bashkimin Evropian për marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, nënshkrimi i të cilës do t'a afrojë Shqipërinë edhe për një hap më afër Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG