Ndërlidhjet

NË KUVENDIN E MAQEDONISË SË SHPEJTI DO TË DEBATOHET PËR LIGJIN PËR SHTETËSINË


Isuf Kadriu Shkup

Komisionet parlamentare të kuvendit republikan nuk shqyrtuan ndryshimet në ligjin e shtetësisë, meqë për këtë akoma nuk ka dhënë mendimin e saj qeveria e Maqedonisë. Në fakt deputeti Ismet Ramadani ka inicuar ndryshimin në ligjin aktual të shtetësisë me të cilin, siç thotë ai ofrohen lehtësira që një numër i madh i qytetarëve shqiptarë të mund të pajisen me këtë dokument të rëndësishëm.
" Intervenoj për ndryshime në nenin 7, i cili më së shumti ka sjellë probleme. Aty kërkohet që qytetarët të kenë burim të mjeteve për egzistencë të përhershme ndërsa në Maqedoni kemi një situatë të papunësisë së madhe dhe gjithnjë paraqet probleme tek ata të cilët aplikojnë për të marrë shtetësinë, fakti nëse janë në marrëdhënie pune apo jo. Kur e kemi parasysh këtë numër të madh të qytetarëve, sidomos të shqiptarëve të papunë, atëhere edhe ky është një problem", tha deputeti i Partisë së Prosperitetit Demokratik Ismet Ramadani, duke njoftuar se ndryshimet në ligjin e shtetësisë parashohin edhe zvogëlimin e viteve për t'u pajisur me këtë dokument nga 15 në 10 ndërsa për disa raste edhe në 5 vjet. Ai si shumë të rëndësishme i vlerëson edhe ndryshimet në atë pjesë të ligjit, që obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme t'u japë arsyetime qytetarëve që refuzojnë të pajisen me shtetësi.
" kjo sepse aty ka dhe absurditete të kësaj natyre që për shembull njerëz në moshë, plaka 70-80 vjeçare shpesh here kanë marë përgjigje se rrezikojnë shtetin", thotë deputeti Ramadani.
Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Brendshme Harri Kostov, i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, tha se së shpejti qeveria do të përgatisë ndryshimet në ligjin aktual, të cilat duhet të kalojnë edhe procedurën parlamentare. Ministri Kostov ka siguruar deputetin Ramadani se ndryshimet në ligjin e shtetësisë të përgatitura nga Ministria e Punëve të Brendshme së shpejti do të kalojnë procedurën qeveritare. Ai njoftoi se ndryshimet në këtë ligj janë shtyrë për shkak të nevojës që të ketë konsultime të gjera përfshirë dhe ekspertët e jashtëm që ligji të përmbushë standartet ndërkombëtare. Ministri Kostov i premtoi deputetit Ramadani se vërrejtjet që ka paraqitur ai do të merren parasysh në versionin përfundimtar të ndryshimeve në ligj.
Ligji i shtetësisë i aprovuar pas pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991 ishte kontestuar nga subjektet politike shqiptare, meqë sipas tyre dhjetra mijëra qytetarëve shqiptarë u ishte mohuar e drejta e pajisjes me shtetësi për shkak të, siç thonë ata, ligjit diskriminues të asaj kohe.
Vërrejtjet në ligjin aktual të shtetësisë i ka bërë publike dhe Avokati i Popullit, i cili insiston në ndryshimin urgjent të ligjit aktual.
" Është e vërtetë se Avokati i Popullit, prej themelimit të këtij institucioni ballafaqohet me problemin e shtetësisë së qytetarëve, sidomos këtë problem e kanë qytetarët shqiptarë. Për këtë arsye kërkohet qasje sa më e shpejtë e zgjidhjes së problemit të shtetësisë, pra e sjelljes së një ligji më liberal për liritë dhe të drejtat e qytetarëve," tha zëvendës Avokatja e Popullit, Suzana Saliu.


XS
SM
MD
LG