Ndërlidhjet

FILLIMI I PROCESIT TË PRIVATIZIMIT, NGJARJE SHUMË E RËNDËSISHME PËR KOSOVËN


Ahmet Shala, zyrtar i lartë i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni privatizimin e gjashtë ndërmarrjeve të para në Kosovë dhe sa jeni të kënaqur me çmimin që arritën këto ndërmarrje?

AHMET SHALA
Mendoj se dita ishte historike për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Reagimi i tregut ishte i natyrshëm dhe i pritur. Mund të them që ne jemi shumë të kënaqur në përgjithësi me këtë reagim të tregut, por gjithashtu besojmë se ishte një test i mirë edhe i procesit të privatizimit në Kosovë. Mendoj se këto gjashtë kompanitë e para janë vetëm një fillim i një procesi të mirë në Kosovë, një procesi edhe të mundimshëm, por të domosdoshëm për rigjallërimin e ekonomisë së Kosovës. Atyre që kanë ofruar ju uroj të përmbushin kontratat e tyre sa më shpejt dhe kushtet të cilat i kanë paraparë në tender, ndërsa stafit menaxhues, punëtorëve etj do t'ju sugjeroja që të jenë mikpritës ashtu siç ka ditur të jetë gjithmonë Kosova dhe që të presin, sepse tek e fundit këta njerëz vijnë për të fituar së pari, por edhe për të mirën e Kosovës. Çdo investim i ri nga sektori privat sidomos kapitali i huaj është një hap përpara drejt pavarësisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë zoti Shala në tenderin për gjashtë ndërmarrjet e para nuk ka konkurruar asnjë investor i huaj përveç një firme nga Shqipëria. A ju shqetëson juve një fillim i tillë?

AHMET SHALA
Jo. Mendoj se ka patur investorë të jashtëm, ishin edhe firma të tjera nga Austria, Bosnja, Shqipëria dhe Maqedonia dhe normalisht që me nivelin, natyrën dhe madhësinë e këtyre ndërmarrjeve, investorët e jashtëm sigurisht nuk kanë qenë shumë të ngazëllyer. Sigurisht që në ndërmarrjet e ardhshme që do të hidhen në privatizim, madhësia, natyra e veprimtarisë, imazhi i tyre do të inkurajojë edhe investorët e tjerë. Natyrisht që për investorët e huaj që të vijnë dhe investojnë në Kosovë, nuk ka rëndësi vetëm madhësia apo sektori i ndërmarrjes, modeli i privatizimit, por edhe nga ambjenti i përgjithshëm politik dhe i sigurisë, i mbështetjes bankare, i strukturave të tjera financiare dhe doganore, të cilat shpresojmë që në të ardhmen do të jenë atraktive për Kosovën. Ne do të bëjmë çmos që t'i bindim se pa marrë parasysh stasus quon politik, Kosova i përmbush të gjitha kompetencat nga aspekti juridik për sigurinë e kapitalit, sikur të ishte shtet. Kjo ka shumë rëndësi në aspektin ligjor. Është vetëm aspekti psikologjik i status quos politik, që shpesh herë propagandohet, se nuk është e sigurtë të investohet në Kosovë, por populli i Kosovës do t'a tregojë se në Kosovë është shumë më e sigurt për të investuar se kudo përreth.

Intervistoi Nadie Ahmeti
XS
SM
MD
LG