Ndërlidhjet

DËNOHEN ME 45 VJET BURG ANËTARËT E GRUPIT TË LLAPIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Një panel gjyqtarësh ndërkombëtarë ka dënuar sot me gjithsej 45 vjet burg katër ish-pjesëtarë të UÇK-së të njohur pas arrestimit si grupi i Llapit. Që të katër të pandehurit e derisotëm janë shpallur fajtorë për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile, pasi akuzohen se gjatë vitit 1998 dhe vitit 1999 kanë arrestuar dhe mbajtur në mënyrë të paligjshme disa civilë shqiptarë të dyshuar si bashkëpunëtorë të Serbisë, duke i mbajtur të burgosur në kushte çnjerëzore dhe duke i torturuar. Kryetari i panelit të gjyqtarëve ndërkombëtarë, Timothy Clayson, ka thënë se në disa raste të arrestuarit janë përgjegjës edhe për vrasjen e pesë civilëve, Drita Bunjaku, Agim Musliu, Hetem Jashari, Alush Kastrati dhe Idriz Sfarça, apo janë përgjegjës në bazë të zinxhirit komandues për shkak se kanë urdhëruar ndalimin, torturën dhe vrasjen, ose nuk i kanë penguar këto veprime kriminale.
Gjyqtari Clayson tha se Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ish-komandant i zonës operative të Llapit të UÇK-së, dënohet më 17 vjet burg, Nazif Mehmeti, me 13 vjet burg, Latif Gashi me 10 vjet burg dhe Naim Kadriu u dënua më 5 vjet burg.
Të dënuarve do t'u llogaritet në kohën e vuajtjes së dënimit edhe koha që kanë kaluar në paraburgim, ku respektivisht, Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe Naim Kadriu kanë kaluar nga 18 muaj në paraburgim burg, ndërsa Rrustem Mustafa ka kaluar 11 muaj në paraburgim.
Në një konferencë për shtyp pas shpalljes së aktgjykimit, avokatët mbrojtës thanë se dënimet janë drakonike dhe paralajmëruan se do të ankohen ndaj këtyre dënimeve.
Avokati mbrojtës i të dënuarit kryesor Rrustem Mustafës, zoti Aziz Rexha tha se procesi gjyqësor nuk ka aritur të agumentojë të dhënat e aktakuzës: “Gjatë procedurës, në asnjë mënyrë nuk është vërtetuar involvimi i zotit Rrustem Mustafa në marrjen e vendimeve direkte dhe dhënien e urdhërave direkte për veprimet inkriminuese, për të cilat u shpall fajtor dhe u gjykua me një dënim drastik në kohëzgjatje prej 17 vjetësh”.
Ndërkaq, Fazli Balaj, mbrojtës i Nazif Mehmetit të dënuar me 13 vjet burg tha se dënimet janë tepër të rënda dhe nuk janë në harmoni me ato që praktikohen në Tribunalin e Hagës: “Sipas mendimit tim, në këtë rast, drejtësia ndërkombëtare ka dështuar sa i përket vërtetimit të faktit, vendimit mbi dënimit edhe cilësimeve juridike”, tha Balaj.
Ndërkaq, Nekibe Kelmendi tha se procesi gjyqësor me asgjë nuk ka arritur të provojë në mënyrë të sigurt përgjegjësinë e të akuzuarve dhe kritikoi gjyqësinë e UNMIK-ut për qëndrime të ndryshme lidhur me të akuzuarit shqiptarë dhe serbë për krime lufte: “Nëse këto dënime i krahasojmë me dënimet për kryesit e veprave penale të krimeve të luftës të komunitetit serb, atëherë del se këto vepra janë vepra hakmarrëse e jo dënime. Më lejoni që vetëm për krahashim, le të më falin të akuzuarit se nuk mund të krahasohen me kriminelët e luftës nga komuniteti serb, por po e marr për krahasim rastin e fundit në Pejë që për 41 viktima u dënua me vetëm 7 vjet burgim”, tha zonja Kelmendi.
Sidoqoftë, shpalljes së sotme të dënimeve i ka paraprirë një fazë e gjatë hetuesi dhe një proces maratonik gjyqësor prej më se 60 seancash, në të cilat janë dëgjuar 60 dëshmitarë, ndërsa të dënuarit e sotëm janë shqiptarët e parë në Kosovë që dënohen për krime të luftës.

XS
SM
MD
LG