Ndërlidhjet

BSPK KËRKON PËRSËRITJEN E TENDERIT PËR PRIVATIZIMIN E 6 NDËRMARRJEVE


Bahri Shabani, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shabani, si e vlerësoni privatizimin e gjashtë ndërmarrjeve të para në Kosovë dhe sa jeni të kënaqur me çmimin që kanë arritur këto ndërmarrje?

BAHRI SHABANI
Ne jemi të kënaqur vetëm me fillimin e procesit të privatizimit, ndërsa me çmimin e ofruar nuk jemi të kënaqur. Mendojmë se do të jetë edhe një detyrë e Bordit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit që t'i vlerësojë realisht në mënyrë që në të ardhmen të mos caktohen çmime të ngjashme siç janë ofruar në tenderët e parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush zoti Shabani, sa duhet të ishte shuma e shitjes së ndërmarrjeve?

BAHRI SHABANI
Unë mund të marr vetëm një shembull tek ndërmarrja "Energoinvesti" e një sektori të ndarë që është tek siguresa. Kjo ndërmarrje ka momentalisht siguresa të prodhuara në vlerë afër 400 mijë Euro, ndërsa për ndërmarrjen kanë ofruar gjithësej 525 mijë Euro, çka do të thotë se e gjithë ndërmarrja mund të vlerësohet me 125 mijë Euro. Ndërmarrja ka tetë hektarë e gjysmë tokë dhe është shumë atraktive për shumë investitorë. Mendoj që është mirë të ripërsëriten tenderët e këtyre ndërmarrjeve, duke kërkuar një çmim më të kërkuar dhe më real bazuar në vlerën e vërtetë të këtyre ndërmarrjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni t'i koordinoni punët me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit që në të ardhmen të mos përsëritet e njëjta gjë?

BAHRI SHABANI
Ne vazhdimisht kemi kërkuar të kemi një vlerësim paraprak për të gjitha ndërmarrjet apo një vlerësim orientues që Bordi të mund të marrë vendimin meritor. Kjo nuk do të thotë se do të ishte një vlerësim i prerë, por afërsisht, pasi ne kemi nevojë dhe duhet t'a dimë se sa ka vlerë vërtet një ndërmarrje në Kosovë. Ne jemi duke biseduar me ministritë përkatëse, të cilat janë pjesëmarrëse në AKM-në, që në të ardhmen të jemi më të përgatitur, më të organizuar dhe të dimë nëse j'a vlen të shitet një ndërmarrje për një ofertë me çmimin, i cili është dhënë, apo duhet të kërkohen investorë më seriozë në këtë rast.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se ka pasur manipulime gjatë shitjes së këtyre ndërmarrjeve?

BAHRI SHABANI
Nuk e di, por te Energoinvesti, në bazë të çmimeve të cilat janë dhënë nga gjashtë aferta, vetëm njëra ka qenë mbi 100 mijë euro të tjerat kanë qenë shumë të përafërta njëra më tjetrën. Mua më ka lindur dyshimi që diçka nuk ka qenë në rregull. Ne do të kërkojmë që të përseriten tenderët në mbledhjen e parë të Bordit të AKM-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të ndërmarrë pas kësaj Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës?

BAHRI SHABANI
Në radhë të parë nuk do të pranojmë kurrë etiketën që sindikatat po e pengojnë procesin e privatizimit. Ne do të organizohemi dhe i kundërshtojmë vendimet, të cilat momentalisht egzistojnë në njëfarë forme, sepse ato nuk egzistojnë të prera, derisa Bordi të mos marrë vendime meritore. Prandaj këtë etiketë punëtorët nuk do t'a pranojnë, sepse ne jemi për procesin e privatizimit në përgjithësi. Mirëpo, jemi për disa kritere dhe nuk mundemi të lejojmë që ndërmarrjet tona të shiten për një vlerë tepër të ulët. Jemi duke biseduar me sindikatat e të gjitha ndërmarrjeve, deri në javën e ardhshme, ne do të kemi një vendim të qartë për hapat e mëtejshme. Prapë po e përseris se shumica e tenderëve, të cilët kanë përfunduar më 14 korrik duhet të përsëriten. Nëse ndodh e kundërta, ne do të mendojmë se çfarë do të ndërmarrim. Por, sigurisht nuk do të jetë mirë as për AKM-në, as për vetë punëtorët.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni menduar për hapat që do të ndërmerrni pas një jave?

BAHRI SHABANI
Patjetër, është fat i mirë që jemi brenda në ndërmarrje dhe mendojmë se nuk ka ndonjë fuqi, që mund të na largojë pa ndonjë marrëveshje më punëtorët.

Intervistoi Nadie Ahmeti

XS
SM
MD
LG