Ndërlidhjet

SHBA DO MARRIN PJESË NË BISEDIMET TEKNIKE MES SERBISË DHE KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, ambasadori Reno Harnish ka premtuar sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë partner i Kosovës dhe UNMIK-ut në bisedimet e drejtpërdrejta me Beogradin për çështje teknike. Ambasadori Harnish i ka bërë këto komente pas një takimi lamtumire me kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova, para se nesër të largohet përfundimisht nga misioni në Kosovë, për t’ia lëshuar vendin shefes së re të zyrës amerikane, zonjës Marcy Reece: “Unë premtova se SHBA do të jenë të vullnetshme dhe afta për të qenë partnere në bisedimet e drejtpërdrejta dhe për të qenë pikërisht aty përkrah institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut, me rastin e këtyre bisedimeve për çështje teknike me Beogradin”, tha ambasadori Harnish.
Ndërkaq, kryetari Rugova tha se zoti Harnish gjatë mandatit të tij në Kosovë ishte pjesë e progresit të arritur këtu: “Biseduam për perspektivën e Kosovës, për zhvillimin ekonomik, privatizimin, integrimine grupeve etnike në shoqërinë kosovare, krijimin e vendeve të reja të punës dhe unë insistoj për një Kosovë të pavarur, të integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe unë them në miqësi të përhershme me SHBA, që është vullneti i populit të Kosovës, tha kryetari Rugova duke shtuar se edhe në të ardhmen pret përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të ambasadorit Harnish.
Ambasadori Harnish tha se një ndër çështjet kryesore të diskutuara në këtë takim lamtumire dhe pune me kryetarin Rugova ishte qëndrimi ndaj procesit të kthimit: “Unë e falënderoj presidentin për qëndrimin e fuqishëm dhe të guximshëm në mbështetje të kthimit me rastin e vizitës Ferizajt, që është një demonstrim i lidershipit presidencial që edhe pritet nga kryetari Rugova”, tha ambasadori Harnish, duke përsëritur se me kryetarin Rugova kishin ritheksuar nevojën e bërjes së një liste operative për dinamizimin e përmbushjes së standardeve që bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova, për ç’gjë, tha Harnish, kemi pasur një pajtueshmëi të plotë ashtu si edhe më parë.
Po në këtë temë, nesër para se të largohet nga Kosova, shefi i zyrës amerikane Reno Harnish do të jetë nikoqir i konferencës për shtyp të grupit "Quint". Siç njofton zyra amerikane, zoti Harnish bashkë me shefat e zyrave britanike, gjermane, franceze dhe italiane do të diskutojnë për përkrahjen e tyre për "standardet para statusit" dhe do t'iu bëjnë thirrje UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës që të punojnë së bashku, për të krijuar një plan për t'i arritur standardet në një kohë të caktuar.






XS
SM
MD
LG