Ndërlidhjet

ROBERTSON: PËR SHQIPËRINË DERA E NATOS ËSHTË E HAPUR


Alma Çupi, Tiranë

Shqipëria për të hyrë në NATO e ka derën e hapur. Me këto fjalë, i është drejtuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Lordi Xhorxh Robertson, presidentit të republikës Alfred Moisiu, duke shtuar se shqiptarët tashmë duhet ta konsiderojnë veten anëtarë të NATO-s
pavarësisht se ende nuk janë anëtarësuar.
“Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që qeveria shqiptare të plotësojë standartet për të aderuar në këtë organizëm,”- tha më tej Lordi Xhorxh Robertson. Ndërsa presidenti Moisiu e vlerësoi kontributin e NATO-s në rajon si të pazëvendësueshëm dhe nënvizoi domosdoshmërinë e vazhdimësisë së saj në Ballkan. Presidenti Moisiu vuri gjithashtu në dukje rolin e Shqipërisë për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë në
Rajon. Pas takimit me presidentin Moisiu, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Robertson dhe ambasadorët e Këshillit të Atlantikut, përshkuan në këmbë bulevardin Dëshmorët e Kombit për të vazhduar axhendën e tyre, me takime në selinë e Këshillit të Ministrave me kryeministin Nano. Pas fotos së përbashkët,delegacionet hynë në takim.
Kryeministri Nano gjatë takimit e konsideroi hyrjen e Shqipërisë në NATO, një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë që ai drejton. “Për përmbushjen e parametrave të kërkuara janë të
impenjuara të gjitha institucionet shqiptare”, tha kryeministri Nano dhe më pas e ka njohur Lordin Robertson me situatën në Shqipëri, me strategjinë e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, drogës,
krimit të organizuar etj.
Lordi Robertson gjatë takimit me kryeministrin Nano përcolli edhe një herë mesazhin e dyerve të hapura të NATO-s për Shqipërinë . “Ka ardhur momenti, që të jepet në mënyrë më të gjerë mesazhi i dyerve të hapura të NATO/S për Shqipërinë. NATO ka të gjithë dashamirësinë
dhe predispozitën e mundshme për të ndihmuar edhe Shqipërinë që të integrohet në strukturat saj dhe më pas edhe në Bashkimin Europian”. Këto kanë qenë fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Robertson.
Të dyja takimet janë zhvilluar me dyer të mbyllura, por pritet që pas demonstrimit që forcat komando shqiptare do të bëjnë në Zallher, në prani të lordit Robertson, të ketë një konferencë për shtyp.


XS
SM
MD
LG