Ndërlidhjet

logo-print

HAJRULLAH GORANI: EKONOMIA E TREGUT KËRKON PRIVATIZIM


"Ne duhet të jemi të interesuar sa më shumë që ndërmarrjet të funksionojnë në mënyrë që të inkuadrohen njerëzit në punë, që të krijohen vlerat e reja etj. Për mua kjo ka rëndësi" – thotë Hajrullah Gorani, profesor universiteti nga Prishtina, duke folur në temën e fillimit të privatizimit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Fillimin e procesit të privatizimit në Kosovë disa e kanë quajtur historik, ndërsa disa e kanë kritikuar ashpër. Nga këndvështrimi juaj, si e vlerësoni këtë proces në përgjithësi?

HAJRULLAH GORANI
Po shikoni, fjalët e mëdha nuk janë të nevojshme... Kjo është çështje pragmatike. Ekonomia e tregut kërkon privatizim. Alternativë nuk ka. Sektori shoqëror ashtu siç është, dalëngadalë po shndërrohet në gërmadhë. Nuk dihet sa funksionon, nuk është konstatuar funksionalizimi i kësaj pasurie të sektorit shoqëror. Prandaj privatizimi do t'a vërë në sprovë sa është funksionale, sa mund të funksionalizohet. Do të thotë që domosdoshmëria e privatizimit është e pranishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë dëgjuar kritika se fabrikat e para janë shitur me çmime të ulëta. Ju keni qenë vazhdimisht në rrjedha të zhvillimeve lidhur me këtë proces. A ekziston ndonjë vlerësim apo të themi ndonjë çmim për vlerën dhe pasurinë e fabrikave në Kosovë?

HAJRULLAH GORANI
Shikoni, pasuria nuk matet sipas vlerës kontabël, por sipas vlerës funksionale. Mund të jetë një pasuri shumë e madhe në evidencën kontabël, por nga aspekti i funksionalizimit nuk vlen asgjë. Ose një ndërmarrje mund të shitet vetëm për një euro…pra, nuk është këtu problemi. Problemi është sa funksionalizohet. Korrupsion dhe kriminalitete do të ketë, duhet të përforcohet shërbimi i revizionimit që të rishqyrtojë çdo privatizim si është bërë, duhet që ekspertët gjithmonë t'a ndjekin privatizimin, që ai të mos mbetet në duar të njerëzve që mund të korruprohen apo janë të korruptueshëm. Pra së pari privatizimi duhet të bëhet dhe së dyti atë privatizim duhet t'a ndjekë shërbimi i revizionimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët pak më parë funksionalizimin. A mendoni se fabrikat e para që janë shitur do të jenë funksionale në të ardhmen?

HAJRULLAH GORANI
Ky është rrezik i atyre që i kanë blerë fabrikat. Ata e kanë matur mirë forcën dhe besoj se do ta funksionalizojnë. Ne duhet të jemi të interesuar sa më shumë që ndërmarrjet të funksionojnë në mënyrë që të inkuadrohen njerëzit në punë, që të krijohen vlerat e reja etj. Për mua kjo ka rëndësi. Ndërsa pjesa tjetër nëse shkon lirë a shtrenjtë, është çështje e ndjekjes së revizionimeve, të kontrollit. Për mua çështja e parë është të funksionalizohet. Ata që investojnë natyrisht duan t'a realizojnë një fitim dhe kjo është në rregull sepse fitimi duhet tu takoj atyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga kritikat e procesit të privatizimit ka qenë roli jo i mjaftueshëm i punëtorëve ekzistues në këto ndërmarrje. Si e vlerësoni ju këtë çështje?

HAJRULLAH GORANI
Është një temë shumë e gjerë. Në atë temë po ushqehen të gjithë, duke filluar prej politikanëve. Çështjet sociale janë çështje të dhembshme dhe ajo që duhet pasur parasysh është se gjatë privatizimit është shtruar çështja e mbajtjes së punëtorëve në punë, të funksionalizohet dhe mos ta marrë dikush ndërmarrjen, ti largoj punëtorët nga puna dhe ndërmarrja të rrijë në amulli ashtu siç është. Duhen vënë ca kushte, por zgjidhja e çështjeve sociale në këtë mënyrë është e pamundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gorani, është thënë se procesi do të vazhdojë. Duke marrë parasysh shitjet e para a mendoni se mund të ketë nevojë për ndonjë ndërrim eventual në tërë këtë proces?

HAJRULLAH GORANI
Gjithsesi çështja nuk jepet njëherë e përgjithmonë. Për çdo ndërmarrje duhet qasur në mënyrë serioze dhe të kontrollohet si është zhvilluar tenderi. Kjo është me rëndësi. Për mua është me rëndësi që një herë e mirë të filloj puna në sektorin shoqëror në kushtet e reja të ekonomisë së tregut dhe të shohim se a janë ndërmarrjet të afta t'i qëndrojnë ekonomisë së tregut.
Intervistoi Fatmir BUJUPI.

XS
SM
MD
LG