Ndërlidhjet

UNIVERSITETI AMERIKAN NË KOSOVË MERR LICENSËN E PËRKOHSHME


Bekim Bislimi, Prishtinë

Universiteti Amerikan në Kosovë ka fituar licencën e përkohshme për punë dhe themelimi i këtij universiteti paraqet një ngjarje të rëndësishme për arsimin e lartë të Kosovës ka thënë sot ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Rexhep Osmani.
Universiteti Amerikan në Kosovë është institucioni i parë i huaj privat i arsimit të lartë i cili ka marrë lejen e kësaj Ministrie.
"Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në përputhje me rregulloret e UNMIK-ut, numër: 2001/19, të ligjit mbi arsimin e lartë, ka lëshuar licencë të përkohshme për Universitetin Amerikan të Kosovës në themelim nga 1 shtatori i vitit 2003, me mundësi të vazhdimit për licencë të re" ka bërë të ditur ministri Osmani.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Universitetit Amerikan në Kosovë, Luois Sell, theksoi se fillimisht ky universitet do të ofrojë programin dyvjeçar të fokusuar në biznes, ekonomi dhe shkenca kompjuterike dhe pjesëmarrja e studentëve në vitin e parë do
të jetë e kufizuar në rreth 120 studentë.
“Universiteti Amerikan në Kosovë do të sigurojë mësim kualitativ, të pavarur dhe privat për njerëzit e Kosovës, pavarësisht përkatësisë kombëtare, gjinisë apo përkatësinë fetare” tha zoti Sell, duke shtuar se pranimi i studentëve kryesisht do të bëhet në baza meritore përmes testimit kompetitiv. Fondacioni i këtij universiteti udhëhiqet nga Bordi i drejtorëve të njohur kosovarë dhe amerikanë, ndërkohë që drejtues i bordit është ish-ambasadori amerikan i OSBE-së,William Walker. Lidhur me këtë, ministri Osmani u shpreh: "Jemi shumë të gëzuar që ambasadori William Walker është kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Kosovë. Ai është njeri i njohur për Kosovën, një mik i madh i saj dhe simbol i paqes dhe lirisë së Kosovë".
Ndërkaq, zoti Sell tha se mësimet në këtë universitet do të vijohen në gjuhën angleze. Ai ka theksuar se në procesin e mësimit do të inkuadrohen edhe profesorë profesionistë kosovarë, ndërkohë që pret bashkëpunimin edhe me institucionet tjera arsimore të Kosovës.
“Gjithsesi dëshirojmë të tërheqim talentet arsimore të kualifikuara të Kosovës dhe specialistë të tjerë”, tha zoti Sell, duke shtuar se zhvillimi i modelit të arsimimit amerikan është një model i kontributit amerikan për Kosovën dhe sipas tij, kjo mund të arrihet vetëm nëse bëhet angazhimi edhe i ekspertëve kosovarë. Sidoqoftë, drejtuesit e Universitetit Amerikan në Kosovë kanë njoftuar se pagesa për mësim në këtë universitet do të jetë 5.500 dollarë në vit. Provimi për pranim në vitin e parë do të mbahet më 9 dhe me 23 gusht në Vushtrri, ndërkaq mësimi do të fillojë më 6 tetor të këtij viti.



XS
SM
MD
LG