Ndërlidhjet

KOSOVËS I DUHET NJË KRYADMINISTRATOR NGA VENDET EVROPIANE


Rrahman Paçarizi, Mitrovicë

Në kohën kur Kosova po shkon drejt Bashkimit Evropian, asaj i duhet një kryeadministrator po nga Evropa, ka thënë sot, ushtruesi aktual i detyrës së Shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Charles Brayshow. Këto komemnte zoti Brayshow i ka bërë në fund të një vizite në qytetin e Mitrovicës, ku është takuar me zyrtarë rajonalë të UNMIK-ut, me përfaqësues të universitetit serb në veri dhe me biznesmenë shqiptarë e serbë, të cilët i ka porositur se zhvillimi ekonomik kërkon një normalitet dhe siguri:
"Ne të gjithë e dimë se integrimi i Kosovës në Evropë është rruga drejt të ardhmes, prandaj një përfaqësues evropian i Sekretarit të Përgjithshëm, do të ishte në pozicionin më të mirë, për të promovuar një rrugë të tillë pozitive", tha Charles Brayshow, duke shtuar se megjithatë vendimi përfundimtar i mbetet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan.
Duke folur ndërkaq lidhur me një kërkesë nga Haga, që kërkon deklarimin e UNMIK-ut lidhur me kërkesën e Fatmir Limajt për mbrojtje në liri, zoti Brayshow tha se çështja e Limajt ka të bëjë me çështje gjyëqësore, ndërkohë që është detyrë e qeverisë të garantojë që gjithshka që ka lidhje me gjykimin, të jetë nën autoritetin e sistemit gjyqësor: "Çfarëdo kërkese për informacione apo ndihmë, që mund t'a marrin nga Tribunali i Hagës, do të trajtohet në kanalet gjyqësore dhe me ndjeshmëri të veçantë për të drejtën e personit për t'u vetëmbrojtjur," tha zoti Brayshow.
Ai tha se Mitrovica kishte shënuar një përparim të dukshëm në muajt e fundit.Ajo që pashë, është se Mitrovica sërish po bëhet një qytet i vetëm, apo siç do të thoshte Michael Steiner, një qytet normal evropian”, tha zoti Brayshow, duke shtuar se megjithatë kanë mbetur ende shumë gjëra për t’u bërë.
Duke folur ndërkohë për një afat që UNMIK-u u ka dhënë pronarëve serbë të veturave që t’i regjistrojnë ato me targa të Kosovës, Brayshow tha: "Më e rëndësishmja që duhet t'a dinë të gjithë, është se nuk ka vend në botë që lejon qarkullimin e veturave pa tabela regjistrimi, ndërsa porosia jonë për të gjithë që jetojnë në Kosovë është se duhet të përdorin tabela regjistrimi të Kosovës", tha Brayshow, duke theksuar se rezistenca e qytetarëve serbë ndaj këtyre tabelave, ka të bëjë edhe me faktin se tabela të Kosovës nuk mund të kalojnë në Serbi, por shprehu bindjen se Serbia do të njohë se shpejti këto targa dhe problemi më nuk do të ekzistojë.


XS
SM
MD
LG