Ndërlidhjet

logo-print

FABRIKAT OSE DUHET TË PRIVATIZOHEN, OSE TË MBYLLEN PËRGJITHMONË


Ibrahim Rexhepi, Prishtinë

Po ra fjala për privatizimin e 6 ndërmarrjeve në Kosovë, sikur hapen të gjitha kundërthëniet rreth këtij procesi. Agjencia Kosovare e Mirëbesimit është e entuziazmuar me të arriturat, punëtorët dhe sindikatat deklarojnë se do të bllokojnë procesin, ndërsa udhëheqja e institucioneve vendore i tërheq AKM-së vëmendjen për kujdes. Reagimet kanë të bëjnë vetëm me çmimin me të cilin u shitën ndërmarrjet shoqërore. Çmimi prej 4.6 milion Euro është njëlloj sikur fabrikat t'i ishin falur dikujt, është konstatimi i sindikatës dhe i punëtorëve. Ndërkaq të tjerët mendojnë se ky është çmimi i tregut dhe duhet pranuar. Sidoqë të jetë në Kosovë filloi privatizimi aq i përfolur, por edhe kundërshtimet e pritura. Me këtë në fakt po zgjidhet fati i ndërmarrjeve shoqërore dhe përfundimisht po hidhen bindjet socialiste për ekonominë.
Fatkeqësisht humbësit me afat të shkurtër do të jenë punëtorët, të cilët nuk do të përfitojnë as nga 1000 Euro. Mirëpo kjo nuk do të jetë problem, aq as bindjet dhe iluzionet socialiste që ende manifestohen. Është vështirë të thuhet se sa duhen shitur fabrikat. Kjo, për faktin se askush nuk ka bërë vlerësimin e kapitalit, por edhe nga fakti se çmimin e fabrikës nuk e cakton vetëm vlera e makinave, por edhe pozicioni i saj në treg.
Ndërkaq Agjencia Kosovare e Mirëbesimit që para një viti u ka bërë të ditur të gjithëve, se fabrikat do të shiten sipas rregullit: "kush jep më shumë". Rreth kësaj nuk do të ketë kriter tjetër. Punëtorët reaguan vetëm kur vunë re se pronari i ri, fabrikën do t'a marrë për disa qindra mijë euro, dhe jo për miliona sa kanë pritur. Njësoj ka reaguar edhe kreu i Sindikatës, i cili është i përfaqësuar në Bordin e AKM-së, madje kryetari i saj ka marrë pjesë në përgatitjen e tenderave dhe në hapjen e ofertave. Edhe nëse ai mund të mos jetë përfillur në këtë institucion, gjithsesi prania e tij ka dhënë edhe bekimin e sindikatave. Në të vërtetë tani dalin qëndrime, të cilat nuk mund të afrohen. T'a zemë njëra pjesë e fabrikës shitet për 500 mijë Euro, ndërkaq punëtorët janë të bindur se çmimi i saj është të paktën 12 milion Euro. Po ashtu është pritur shumë nga fabrika e tullave në Pejë, por për atë nuk është interesuar askush. Mospërputhjet e tilla vërrehen në çdo ndërmarrje të privatizuar, por kur merren parasysh reagimet e tilla, atëhere lirisht mund të thuhet se ky është fundi i iluzioneve për një ekonomi që ka çmim të lartë. Në të njëjtën kohë punëtorët nuk kanë qenë dhe aq të informuar se çfarë është privatizimi dhe çfarë do të sjellë ai. Metoda që ka zgjedhur AKM-ja për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore është tejet jo-humane. Ajo nga përfitimet përjashton popullatën, ndërsa as punëtorët nuk mund të presin shumë. Madje punëtorët e tanishëm nuk duhet të shpresojnë edhe më tej se mund të mbeten në këto fabrika. Ata janë plakur dhe nuk mund t'i plotësojnë kërkesat e pronarit të ri.
Mirëpo efektet pozitive duhen kërkuar në segmentet e tjera: si në futjen e kapitalit të ri përmes investimeve që janë të domosdoshme, punësimin e ri, ndryshimin e strukturës së prodhimit dhe aktivizimin e fabrikave. Përndryshe po të mos shiteshin ato pas një viti apo dy ato vetvetiu do të shkatërroheshin. Do të thotë që punëtorët nuk do të kishin çfarë të nxirrnin në treg dhe në fund do t'i mbyllnin fabrikat. Pa asnjë mëdyshje mund të thuhet, se fabrikat po shiten lirë. Mirëpo ato sot gjenden para një rreziku të madh. Ose duhet të privatizohen me çdo kusht, ose duhet të mbyllen për gjithmonë dhe kështu të mbeten përmendore të socializmit. Mirëpo procesi duhet parë edhe në segmentet e tjera jo vetëm në atë se kush fiton më shumë, në sensin se në Kosovë për herë të parë po ndodh një transformim pronësor esencial. Punëtorëve u është garantuar se do të marrin 20 % nga çmimi i shitjes, ndërsa në pjesën tjetër të parave mbulohen kërkesat e kreditorëve, sado të larta që janë ato. Me këtë njëherë e përgjithmonë zgjidhen dilemat se të kujt janë fabrikat, qoftë dhe ato që do të falimentojnë. Janë këto fakte që do t'i japin përparësi kësaj metode të privatizimit, sado që ka shumë të meta, përndryshe gjithmonë do të mbetej pezull çështja e pronësisë së 500 ndërmarrjeve dhe kjo do të reflektohej edhe në proceset politike, posaçërisht në përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.


XS
SM
MD
LG