Ndërlidhjet

DY SHPËRTHIME NË PRISHTINË


Rrahman Paçarizi,Prishtinë

Komisioneri i policisë në Kosovë, Stefen Voeller ka shprehur sot shqetësimin e autoriteteve të policisë lidhur me një varg incidentesh që kanë ndodhur në Ksoovë që nga 17 korrikut, që kanë kulmuar me disa sulme gjatë natës së mbrëmshme, kundër institucioneve që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe ekzekutimin e ligjit.
Incidentet kanë filluar që më 17 korrik, kur sulmues të panjohur për policinë kanë hedhur dy bomba në stacionin e policisë në Podujevë, ndërsa më 19 korrik, 15 vetura të policisë janë vandalizuar në Prishtinë dhe Pejë. Incidentet kanë vazhduar edhe më 20 korrik, kur në orët e para të mëngjesit një bombë ka shpërthyer përfundi një veture të policisë së UNMIK-ut, ndërsa tre orë më pas një bombë e pashpërthyer është gjetur në tregun e gjelbër. Ngjarjet kanë kulmuar me dy sulme, njëri kundër gjykatës së qarkut, ndërsa tjetri në stacionin e policisë ku është vendosur njësia për krime serioze, ndërkohë që të shtëna janë dëgjuar edhe në afërsi të shtëpisë së kryeparlamentarit Daci, tha komisioneri i policisë Stefen Voeller.
“Pa dashur të vëmë ndonjë lidhje ndërmjet të gjitha incidenteve, çelësi qartësisht jep indikacione për lidhje ndërmjet tyre dhe pa spekuluar shumë, këto mund të jenë të lidhura me aktvendimin e gjykimit kundër grupit të Llapit”, ka thënë komisioneri Stefen Voeller, duke shtuar se hetuesit më të mirë po merren me hetimin e këtyre rasteve, të cilat për fat të mirë kanë kaluar pa shkaktuar ndonjë viktimë.
Sidoqoftë, tha zoti Voeller, këto janë sulme të pasuksesshme që kanë për qëllim të ndalojnë policinë dhe drejtësinë për të kryer punën e tyre: “Ne nuk do t’i lejojmë keqbërësit që t’i realizojnë interesat e tyre, duke u përpjekur ta ndalojnë policinë dhe gjyqet nga përkushtimi për popullin këtu”, tha Voeller, sipas të cilit policia do ta vazhdojë punën që duhet ta bëjë.
Zoti Voeller e ka mbajtur takimin me gazetarë në vendin ku është lansuar një predhë minahedhësi kundër gjyqit të qarkut, duke dëmtuar një zyrë, disa dritare përreth dhe murin e ndërtesës.
Duke folur ndërkohë lidhur me të shtënat në afërsi të shtëpisë së kryeparlamentarit Daci, zoti Voeller tha: “Xhamat e dritareve të shtëpisë së Dacit janë shkatërruar, por nuk duam të nxjerrim konkluzione të hershme, nëse plumbat janë shkrepur në atë drejtim, tha Voeller, duke e parë këtë incident në vargun e incidenteve të tjera. Mirëpo, Ramush Tahiri, këshilltar politik i zotit Daci ka mohuar të ketë ndodhur një sulm i tillë:
“Nuk kemi asnjë informatë dhe jemi informuar nga mediat dhe zoti Daci dje ka fjetur normalisht në shtëpi dhe në mëngjes me mikun e tij Sali Gashin kanë pirë kafe në Gërmi, bashkëshortja e tij ka shkuar në punë normalisht dhe nuk ka pasur asnjë shqetësim për krimat dhe as lajmërim nga policia, si dhe nuk ka pasur as të shtëna”, tha Tahiri
Pavarësisht nga kjo, njeriu i parë i policisë, Stefen Voeller tha se nuk ka ndonjë shkallë të rritur gatishmërie, pasi ka indikacione se sulmet janë drejtuar kundër policisë, pasi deri më tash janë sulmuar objektet dhe pronat e policisë. Megjithatë, ka thënë Voeller, njerëzit e pafajshëm mund të pësojnë nga këto sulme, siç pati ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar kur 31 persona qenë lënduar nga shpërthimi i një autobombe në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës, në një komunikatë për shtyp ka dënuar këto sulme, duke theksuar se ato dëmtojnë imazhin e Kosovës në planin ndërkombëtar dhe i ka bërë thirrje policisë të kapë keqbërësit dhe t’i sjellë para drejtësisë.


XS
SM
MD
LG