Ndërlidhjet

logo-print

KËRKOJ NGA POPULLI TË DENONCOJË RASTET E KORRUPSIONIT NË SHËNDETËSI


Resmie Mumxhiu, Ministre e Shëndetësisë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja ministre, disa ekspertë mjekësorë kanë vlerësuar se gjendja e shëndetësisë në Kosovë është e rëndë. A mund të na thoni se cili është
vlerësimi i juaj?

RESMIE MUMXHIU
Fatkeqësisht, vlerësimi i disa mjekëve për gjendjen tejet të rëndë në shëndetësi është i vërtetë. Problemet, të cilat rrjedhin në shëndetësi kanë të bëjnë me mungesën e disa faktorëve. Një ndër ta
është mungesa e ligjit për shëndetësinë, i cili momentalisht gjendet për shqyrtim në zyrën e kryeministrit. Shpresojmë se së shpejti do të kalojë edhe në komisionet e kuvendit për ligje dhe deri në shtator shpresojmë se do të dalë edhe në Kuvend.

RADIO EVROPA E LIRË
Mungesa e barërave është problem, me të cilin në vazhdimësi janë duke u ballafaquar institucionet shëndetësore. Sipas jush, ku qëndron
burimi i këtij problemi dhe çfarë ka ndërmarrë ministria e juaj lidhur me këtë çështje?

RESMIE MUMXHIU
Ju e dini se unë kam trashëguar një gjendje katastrofale të furnizimit me barna në Kosovë. Nënshkruesi i tenderit ka qenë ish-ministri. Kontrata është nënshkruar me UNOPS-in dhe problemi që tani
lidhet me të është tërheqja e furnizuesve me barna për shkak të çmimeve jo të volitshme. Nuk duhet harruar që distanca kohore njëvjeçare e ka bërë të vetën dhe furnizuesit janë tërhequr duke menduar se çmimet e sotme nuk janë reale. Para një viti çmimet
kanë qenë reale, por tani nuk është ashtu. Ne jemi në bisedime e sipër me UNOPS-in dhe së shpejti edhe me ndihmën e UNMIK-ut, do ta zgjidhim këtë problem.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja ministre, Qendra e Klinikës Universitare ka borxhe të mëdha financiare ndaj ndërmarrjeve për shërbime publike, të cilat kanë
paralajmëruar se do t’i ndërpresin ato në rast se borxhet nuk paguhen. Çfarë do të ndërmarrë ministria juaj në këtë drejtim?

RESMIE MUMXHIU
Është e vërtetë që obligimet ndaj shërbimeve publike aktualisht janë 2. 314.000 Euro. Në fund të vitit QKU-ja ka marrë buxhetin ku janë
paraparë edhe pagesat e obligimeve ndaj ndërmarrjeve për shërbime publike. Deri tani pagesat nuk janë bërë as për një cent. Për të mos lejuar që të shkohet deri te ndërprerja e punës së QKU-së dhe duke e pasur parasysh se është institucion me interes të posaçëm shoqëror kemi ndërmarrë hapin e parë, me një vlerë prej 700.000 Euro, për pagesën e një pjese të obligimeve të QKU-së. Pjesën tjetër, me siguri deri në fund të vitit, do ta paguajë Ministria e Shëndetësisë në emër të borxheve të QKU-së, pjesërisht, çdo muaj nga një shumë të caktuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja ministre, mediat shpeshherë kanë shprehur dyshimin se në institucionet shëndetësore ka korrupsion. A mund të na thoni se sa
ka bazë për dyshime të tilla?

RESMIE MUMXHIU
Ka dyshime që korrupsioni me të vërtetë ekziston në shëndetësi. Vetë mënyra se si pacientët presin për operacione edhe nga 4-5 muaj,
ndërkaq disa prej tyre operohen brenda 24 orësh, kjo tregon se vërtet ka gjasa për korrupsion. Por, deri tani, ne nuk e kemi pasur asnjë ankesë në këtë drejtim. E shfrytëzoj rastin që të apeloj tek popullata
që të na ndihmojnë në luftë kundër korrupsionit, duke i paraqitur rastet e korrupsionit, konkretisht me emër dhe mbiemër se kujt i kanë dërguar mjetet që kanë mundësuar ndonjë shërbim shëndetësor.

Intervistoi Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG