Ndërlidhjet

logo-print

BE DISKUTON PASARDHËSIN E SHTAJNERIT


Augustin Palokaj, Bruksel

Siç ishte parashikuar edhe më parë ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian sot në diskutimet mes tyre, kanë bërë të qartë se favorit për t'u bërë kryeadministrator i ri i Kosovës, është ish-kryeministri i Finlandës Harri Houker. Megjithatë në listën e Bashkimit Evropian ende mbetet si kandidat potencial për këtë post edhe diplomati suedez Ekraus, pastaj ai norvegjez Kaj Ajde, sikur edhe diplomati i shquar nga Portugalia Hose Kurtiljero. Në fund i takon vetë përfaqësuesit Kofi Annan që të emërojë të dërguarin e tij për Kosovën. Përfaqësuesi i lartë i BE-së Havier Solana, ka thënë sot se ai ka biseduar gjatë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan në fund të javës që kaloi në Nju Jork, dhe së shpejti pritet emërimi i shefit të ri të UNMIK-ut në Kosovë. Sa më parë që të ndodhë kjo, sa më parë që të kemi një përfaqësues të lartë të Sekretarit të OKB-së për Kosovën, aq më shpejt do të mund të fillojë dialogu Prishtinë- Beograd, ka thënë Solana. Për dialogun e mundshëm mes Prishtinës dhe Beogradit janë prononcuar Ministrat e jashtëm të Be-së edhe përmes konkluzave zyrtare. Ata kanë thënë se mbështesin një fillim sa më të shpejtë të këtij dialogu, dhe kanë ofruar që Bashkimi Evropian të mbetet ndihmës dhe sponsorues i këtij dialogu. Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë përshëndetur sot edhe letrën, të cilën liderët kosovarë u kanë dërguar refugjatëve serbë që të kthehen në Kosovë, por i kanë përkujtuar liderët kosovarë se fjalimet e tyre duhet të pasohen nga veprime konkrete në këtë drejtim. Nga vendimet e ministrave të jashtëm të BE-së, sot duhet veçuar edhe ai për të vazhduar misionin ushtarak Concordia në Maqedoni. Sipas vendimit të ri, ky mision është vaqzhduar deri më datën 15 tetor të këtij viti.

XS
SM
MD
LG