Ndërlidhjet

logo-print

KRYETARI I SERBISË DHE MALIT TË ZI ANGAZHOHET PËR DIALOG ME PRISHTINËN PËR ÇËSHTJE PRAKTIKE


Augustin Palokaj, Bruksel

Kryetari i Unionit Serbi Mali i Zi, Svetozar Maroviç, është duke qëndruar sot në Bruksel, ku ka patur takime me dy zyrtarët e lartë të Bashkimi Evropian, Havier Solanën, përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe kryetarin e Komisionit Evropian, Romano Prodin. Duke folur përpara gazetarëve së bashku me Solanën, Maroviç ka thënë sot se duhet filluar dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në të cilin do të bisedohet për çështje të përditshme praktike, që janë me interes të të dyja palëve. Ai tha se procesi, siç e quajti ai, i evropianizimit të Serbisë dhe Malit të Zi, do t'a përfshijë edhe Kosovën, pasi edhe Kosova duhet të evropianizohet.
Më së shumti është folur megjithatë, për kushtet që Serbia dhe Mali i Zi duhet të plotësojnë për të filluar një studim i fizibilitetit nga ana e Komisionit Evropian, pas të cilit të mund të fillojnë negociatat mes Beogradit dhe Brukselit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Bashkimi Evropian ia ka bërë sot të qartë presidentit të Unionit Serbi Mali i zi, se pa ratifikimin e marrëveshjes për harmonizimin tregtar mes Serbisë dhe Malit të Zi, nuk mund të fillohet i ashtuquajturi studim i fizibilitetit, që do të hapte rrugën për fillimin e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë dhe Malit të Zi.
Serbia dhe Mali i Zi janë edhe në procesin e afrimit me aleancën e NATO-s. Për këtë temë sot Maroviç ka patur bisedime edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson.
Ndërkohë sot burime të afërta me Havier Solanën, kanë pohuar se sipas të gjitha gjasave ndoshta para përfundimit të kësaj jave, do të emërohet më në fund edhe përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën. Të njëjtat burime sot kanë përsëritur se gjasat më të mëdha për t'u bërë kryeadministratori i ri i Kosovës, i ka ish-kryeministri i Finlandës Herri Houker, por në mënyrë diplomatike kanë pohuar se as tre kandidatët e tjerë, nuk janë pa gjasa dhe për këtë së shpejti pritet të vendosë Kofi Anan.

XS
SM
MD
LG