Ndërlidhjet

SIGURIA DHE KTHIMI I PAKICAVE KA SHËNUAR PËRPARIM, THOTË GJENERALI AMERIKAN KEEF


Rrahman Paçarizi, nga kampi Bondsteel

Një numër i vogël kriminelësh dhe ekstremistësh duan ta kthejnë Kosovën prapa në të kaluarën, mirëpo KFOR-i ka mjaft aftësi dhe kapacitete për t’u përballur me çfarëdo situate, ka thënë sot në kampin e forcave amerikane të KFOR-it në Bondsteel, komandanti i deritanishëm i sektorit lindor, gjeneral-brigade Daniel Keefe, në një konferencë të fundit për shtyp bashkë me pasardhësin e tij gjeneral-brigade Jerry Beck, i cili të hënën e merr përsipër komandën e forcave shumëkombëshe të sektorit lindor. Gjenerali Keefe e vlerësoi lart përparimin e arritur në Kosovë gjatë këtyre katër viteve dhe shprehu brengosjen për aktet e fundit të dhunës:
"Edhe pse kemi parë një përparim të shkëlqyeshëm, ne gjithashtu shohim një numër të vogël ekstremistësh dhe kriminelësh që duan ta kthejnë Kosovën prapa në të kaluarën," tha gjenerali Keefe, duke vlerësuar se shumica dërrmuese e popullit të Kosovës i refuzon këta ekstremistë, ndërkohë që situata e sigurisë tani është shumë më e mirë, seç ishte dy apo tre vjet më parë. Sidoqoftë, tha gjeneral- brigade Daniel Keefe duke i vlerësuar aktet e fundit në Prishtinë, si përpjekje për të minuar përparimin që është arritur, duke kërcënuar edhe paqen e sigurinë në Kosovë, askush nuk guxon të gabohet për faktin se KFOR-i ka mjaft aftësi për t’u përballur me çfarëdo situate.
Duke numëruar sukseset, ai tha se situata e sigurisë për pakicat është ndër treguesit më të mirë. “Vetëm gjatë këtij viti rreth 350 njerëz janë kthyer në shtëpitë e tyre në këtë sektor, ndërsa situata e sigurisë ka qenë e tillë që nuk kemi pasur nevojë të shtojmë masat e sigurisë për këta të kthyer”, tha gjenerali Keefe.
Ndërkohë, ai nuk ka dashur të komentojë problemet lidhur me kufirin Kosovë-Maqedoni të bërë sipas një marrëveshjeje ndërmjet Shkupit e Beogradit në shkurt të vitit 2001, e cila kundërshtohet nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës. Çështja e kufirit i takon UNMIK-ut, pasi është një çështje politike, ndërsa mua si ushtar nuk më përket t’i komentoj çështjet politike, tha gjenerali Keefe.
“Ekziston vetëm një kufi që është bërë në marrëveshje me Kombet e Bashkuara para një viti dhe ne e respektojmë këtë," tha gjeneral brigade Daniel Keefe, i cili të hënën më 28 korrik do t’ia dorëzojë komandën divizionit 28 të këmbësorisë, të komanduar gjenerali Jerry Beck, i cili premtoi vazhdimin e progresit: “Angazhimi amerikan në formën e të rinjve dhe të rejave që do t’i shihni duke patrulluar fshatrave dhe qyteteve të këtij sektori, mbetet i palëkundur dhe i fuqishëm”, tha komandanti i ardhshëm i forcave amerikane në Kosovë, gjenerali Jerry Beck, i cili do të ketë më rreth 4000 forca nën komandën e tij, prej të cilëve 3000 ushtarë që sapo kanë arritur në Kosovë.



XS
SM
MD
LG