Ndërlidhjet

ALI AHMETI TAKOHET ME JAVIER SOLANËN NË BRUKSEL


Augustin Palokaj, Bruksel

Kryetari i Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim nga Maqedonia, Ali Ahmeti, është duke qëndruar sot në Bruksel, ku deri tani është takuar me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solanën. Nga kabineti i Solanës është thënë se ftesa dërguar Ali Ahmetit për këtë takim, sikurse edhe pranimi i tij që të vijë të takohet me Solanën, dëshmon edhe njëherë mirëkuptimin që ka Bashkimi Evropian për rolin konstruktiv që është duke luajtur Ali Ahmeti në proceset në Maqedoni. Vetë Ali Ahmeti ka thënë që me Solanën ka patur një takim shumë të mirë, ku janë adresuar si çështjet pozitive, ashtu dhe ato negative në Maqedoni. I pyetur që të thotë se cilat janë problemet në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, zoti Ali Ahmeti ka nënvizuar problemin e integrimit të shqiptarëve në disa struktura shtetërore, sidomos në organet e sigurisë, në polici, në shërbimet e zbulimit etj. Kjo duhet të përshpejtohet, sepse për të patur një paqe të qëndrueshme në Maqedoni, shqiptarët duhet të jenë pjesë integruese e aparatit, i cili duhet të instalojë dhe të mbrojë vlerat evropiane në këtë shtet, ka thënë Ali Ahmeti. Ndërkaq i pyetur se si i komenton disa thënie të partisë tjetër shqiptare në Maqedoni, e cila ka bërë thirrje për të drejtën për vetëvendosje në Maqedoni dhe disa thirrje të disa partive të tjera maqedonase për ndarjen e Maqedonisë, Ali Ahmeti ka thënë në Bruksel, se përderisa Maqedonia dhe shtetet e tjera të rajonit dëshirojnë të integrohen në Bashkimin Evropian, atëhere nuk mund të kërkojnë kufij të rinj dhe ndarje të reja, por duhet të kërkojnë integrime. Ai ka thënë se me krijimin e Bashkimit Evropian kanë vdekur edhe idetë për krijimet e shteteve të mëdha, që janë të pranishme jo vetëm në Ballkan, por kanë qenë të pranishme edhe në Evropë.
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, Ali Ahmeti do të takohet sonte edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson.


XS
SM
MD
LG