Ndërlidhjet

KTHEHEN NGA SERBIA KUFOMAT E 43 SHQIPTARËVE TË VRARË GJATË LUFTËS


Bekim Bislimi, Prishtinë

Në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdar, autoritetet serbe ua kanë dorëzuar autoriteteve të UNMIK-ut, kufomat e 43 shqiptarëve të gjetur në një varrezë masive në Batajnicë afër Beogradit. Shefi i zyrës së UNMIK-ut për të zhdukurit Jose Pablo Barajbar, tha se 41 kufoma besohet të jenë të personave të vrarë apo të zhdukur në masakrën e 27 prillit të vitit 1999 në Mejë të Gjakovës, ndërsa dy të tjera janë nga Suhareka. Për të pritur arritjen e 43 kufomave kishin dalë familjarë të shumtë dhe anëtarja e komitetit për të zhdukurit në parlamentin e Kosovës, Flora Brovina. Shefi i zyrës për të zhdukurit Jose Barajbar, ka thënë se kufomat e sjella sot janë identifikuar në Serbi, mirëpo ende nuk janë identifikuar me emra dhe kjo do të bëhet gjatë ditëve të ardhshme në Institutin e Mjeksisë Ligjore në Rahovec. Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë sjellë rreth 100 kufoma të shqiptarëve nga më shumë se 1000, që janë gjetur në varrezat masive në vende të ndryshme në Serbi. Përfaqësuesi i zyrës për të zhdukurit Barajbar, ka thënë se deri tani janë kthyer vetëm 10 % e shqiptarëve të ekshumuar në varre masive në Serbi dhe ka ftuar UNMIK-un, institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, që të bëjnë presion mbi Beogradin për të përshpjetuar procesin e ekshumimit dhe identifikimit si dhe të kthimit në Kosovë të trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.


XS
SM
MD
LG