Ndërlidhjet

UNMIK-U NUK GARANTON HETIMIN NË LIRI TË FATMIR LIMAJT


Augustin Palokaj, Hagë

Përmes një letre dërguar trupit gjykues të Tribunalit të Hagës, në rastin e tre kosovarëve të akuzuar për krime lufte, UNMIK-u ka vlerësuar se nuk mund të japë garanca, nëse gjyqi vendos që Fatmir Limaj të lirohet përkohësisht për t'u mbrojtur në liri, siç ka kërkuar pala mbrojtëse. Në letrën e dërguar në Tribunal, të cilën që në emër të Misionit të OKB-së në Kosovë e ka nënshkruar drejtori i Departamentit të Drejtësisë Pol Kofi, thuhet se Limaj nuk do të mund të pengohet nga ana UNMIK-ut që të arratiset apo të kërcënojë dëshmitarët, nëse e dëshiron këtë gjë.
UNMIK-u është i paaftë të japë garanci se zoti Limaj, nëse lirohet përkohësisht, do të jetë në dispozicion për pjesëmarrjen në seanca të tjera gjyqësore në Hagë.
Unë nuk mund të them se çfarë pretendimesh do të ketë ai nëse lirohet, por sidoqoftë akuzat serioze kundër tij, janë bindëse që ai të ketë motiv për të ikur, thotë ky zyrtar i UNMIK-ut. Duke patur parasysh pozitën gjeografike të Kosovës, mundësitë e kufizuara të UNMIK-ut në mbikqyrjen e territorit të Kosovës, si dhe burimet mbështetëse për pozitën e Limajt nëse ai mendon të arratiset, janë arsye që e bëjnë të lehtë ikjen e Limajt në vendet fqinje, thotë UNMIK-u. Pra rreziku i arratisjes së tij është i madh, thotë shefi i drejtësisë pranë UNMIK-ut, në letrën e vet dërguar të hënën Tribunalit të Hagës, letër që u bë publike sot. Ndërkaq duke folur për mundësitë e kërcënimit të dëshmitarëve nga ana e të akuzuarit, kjo letër pajtohet me vërrejtjet e prokurorisë se gjendja e dëshmitarëve në Kosovë është e vështirë. Kam parë përgjigjen e prokurorisë në kërkesën për lirim të zotit Limaj dhe unë nuk kam asnjë arsye për të dyshuar se ajo nuk është reale. Edhe OSBE-ja ka dhënë vërrejtjet e veta lidhur me pozitën e dëshmitarëve në Kosovë, dhe UNMIK- u edhe në këtë drejtim ka mundësi të kufizuara në mungesë të burimeve të mjaftueshme dhe qasjes së shoqërisë për këtë çështje. Në rastet në Kosovë, kur kërcënimi është një rrezik për dëshmitarët dhe procesin e drejtësisë, departamenti im rregullisht kërkon paraburgim të të akuzuarve. Identiteti i personave që kanë kërcënuar dëshmitarët në rastin Limaj ende nuk është bërë, por dokumentimi i këtyre kërcënimeve të dëshmitarëve, megjithatë nënkupton vetë rastin e kësaj padie, thotë zyrtari i UNMIK-ut në këtë letër drejtuar gjykatësit Joakim Martin Kanivel, që kryeson rastin kundër Limajt dhe dy të akuzuarve të tjerë shqiptarë në Hagë. Të përkujtojmë se mbrojtja e zotit Limaj ka kërkuar që ai të mbrohet në liri, ndërkaq këtë e ka kundërshtuar prokuroria. Pas kësaj letre të UNMIK-ut, gjasat që gjykata të vendosë për të liruar Limajn që të mbrohet në liri janë shumë të vogla.


XS
SM
MD
LG