Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS DO TË RISHOHË BASHKËPUNIMIN ME UNMIK-UN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Letra e zyrës së drejtësisë të UNMIK-ut dërguar Gjyqit të Hagës, ku thuhet se UNMIK-u nuk mund të garantojë që Fatmir Limaj do t’u përgjigjet organeve të drejtësisë, në rast se do të lejohej për t’u mbrojtur në liri, është e papranueshme për qeverinë e Kosovës dhe kjo do t'a shtyjë qeverinë që të ripozicionohet ndaj UNMIK-ut, ka thënë sonte për Radion Evropa e Lirë, Jakup Krasniqi, ushtrues detyre i kryeministrit të Kosovës.
Zoti Jakup Krasniqi mendon se Tribunali i Hagës nuk kishte kërkuar mendimin e departamentit të drejtësisë të UNMIK-ut, por qëndrimin e ish-kryeadministratorit Steiner apo të zëvendësit të tij Brayshow, prandaj ky ishte një manipulim qëllimkeq, pasi, Limaj nuk kishte arsye të mos i përgjigjej gjyqit dhe zoti Steiner e dinte këtë:
“Gatishmëria e zotit Steiner që ta kthejë Fatmir Limajn me një aeroplan special në Kosovë, që pastaj vullnetarisht t’i dorëzohet Gjykatës së Hagës, është penguar nga Tribunali dhe kjo ka qenë një padrejtësi që i është bërë Fatmir Limajt. Edhe letra që shkon nga departamenti i drejtësisë dhe jo nga drejtuesit e UNMIK-ut, nuk është në nivelin e përgjegjësisë”, tha zoti Krasniqi, për të shtuar se në të njëjtën kohë, qeveria dhe parlamenti kanë dhënë një garanci tjetër, prandaj qytetarëve të Kosovës, në këtë rast të akuzuar nga Tribunali i Hagës, po iu bëhet një padrejtësi e madhe: “Ne mendojmë se teksti i letrës për ne është i papranueshëm për faktin se Fatmir Limaj dhe të akuzuarit e tjerë po të njoftoheshin me kohë, vullnetarisht do t’i dorëzoheshin Tribunalit të Hagës dhe nuk kanë pasur dhe nuk kanë kurrfarë arsyesh, që të ikin nga Kosova, të cilën vetë e kanë çliruar”, tha Krasniqi.
Në një situatë të këtillë, thotë zoti Krasniqi, qeveria e Kosovës duhet t’i rishqyrtojë raportet me UNMIK-un dhe të pozicionohet ndaj këtyre veprimeve: “Mendoj që qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të ripoziocionohen, përndryshe me këto prapaskena që bëhen nga administratorë të ndryshëm në Kosovë, ka vështirësi në bashkëpunim dhe do të ketë vështirësi në bashkëpunim”.
Fatmir Limaj qe arrestuar në shkurt nga policia sllovene, edhe pse më parë ishte shprehur i gatshëm që t’i dorëzohej drejtësisë së Hagës, ndërkohë që disa ditë më parë qenë arrestuar edhe tre shqiptarë të tjerë, njëri prej të cilëve gabimisht, ku të gjithë akuzohen nga Tribunali i Hagës për krime lufte të kryera gjatë vitit 1998 në Kosovë. Arrestimi i Fatmir Limajt, deputet në Kuvendin e Kosovës dhe zyrtar i lartë në Partinë Demokratike të Kosovës, qe përcjellë nga një protestë, më e madhja e pasluftës, ku kërkohej lirimi i tij.


XS
SM
MD
LG