Ndërlidhjet

KLIMË E FAVORSHME PËR KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në Kosovë është krijuar një klimë e favorshme për të realizuar procesin e kthimit të të zhvendosurve dhe vendimtare për këtë klimë ka qenë letra e hapur e liderëve shqiptarë dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i kryetarit Rugova dhe liderit të PDK-së, Thaçi për të kthyerit, ka vlerësuar sot në një bisedë për Evropën e Lirë, shefi i grpit parlamentar të koalicionit të serbëve në Kuvendin e Kosovës, Dragisha Kërstoviç:
"Mendoj se është krijuar një klimë e favorshme dhe këtë klimë e ka krijuar letra e liderëve shqiptarë të Kosovës dhe përfaqësuesve të institucioneve drejtuar të zhvendosurve, si dhe vizita e kryetarit Rugova dhe liderit të PDK-së, Hashim Thaçi në Ferizaj," tha zoti Kërstoviç, duke vlerësuar se një klimë e tillë duhet shfrytëzuar maksimalisht për të përmbushur synimet për realizimin e kthimit të të zhvendosurve.
Në këtë kuptim, tha Kërstoviç koalicioni "Kthimi" ka planifikuar disa takime me liderë të komunitetit shqiptar në disa komuna të Kosovës, para së gjithash në Klinë, në Pejë dhe në Istog, për të siguruar një kthim të qëndrueshëm:
"Shpresoj se do të hasim në mirëkuptim dhe do të gjejmë përfundim të përbashkët, se kthimi është e drejtë themelore dhe çështja nuk duhet politizuar dhe as ndërtuar rrëfime të tjera lidhur me këtë," tha shefi i grupit parlamentar të serbëve në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkohë, njëra nga kërkesat e liderëve shqiptarë ka qenë pikërisht që të mos politizohet çështja e kthimit të të zhvendosurve dhe që atyre t’u mundësohet një kthim individual, sipas vullnetit dhe vendimit të tyre. Një kërkesë tjetër e institucioneve të Kosovës lidhur me pakicën serbe, mbetet edhe domosdoshmëria e integrimit të pakicave, sidomos të asaj serbe në rrjedhat e përgjithshme në Kosovë:
"Integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare nuk ka ndodhur ende, pasi nuk ka ndodhur as procesi i kthimit, pasi serbët procesin e integrimit e konsiderojnë të lidhur me çështjen e kthimit," tha Kërstoviç, sipas të cilit me gjithë klimën e favorshme për krijimin e të cilës ka ndikuar angazhimi i lidershipit kosovar, në Kosovë ka ende pengesa për të kthyerit:
"Aktualisht problemi më i madh në procesin e kthimit është ambienti jo mjaft i sigurt, si dhe fakti se në këto momente, ata nuk kanë se ku të kthehen," tha Kërstoviç, duke bërë thirrje që të zhvendosurve që kanë vendosur të kthehen për të jetuar në Kosovë, t’u sigurohen kushte strehimi dhe kushte të tjera, në mënyrë që kthimi të jetë i qëndrueshëm. Gjithsesi, tha ai, duhen shfrytëzuar rrethanat e favorshme që janë krijuar në Kosovë.



XS
SM
MD
LG