Ndërlidhjet

VAZHDOJNË PËRGATITJET PËR BISEDIMET KOSOVË-SERBI


Bekim Bislimi, Prishtinë

Ndonëse një pjesë e qeverisë së Kosovës, si dhe kuvendi i saj janë në pushim, kjo nuk do të ndikojë negativisht në përgatitjen e këtyre institucioneve për fillimin e bisedimeve për çështje praktike mes Prishtinës dhe Beogradit, thonë përfaqësuesit e këtyre institucioneve. Për bisedimet e mundshme, të cilat janë paralajmëruar se mund të fillojnë në muajin shtator, Rexhep Hoti, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepit, thotë se kryeministri disa muaj më parë, i ka udhëzuar kryeministrat që të bëjnë përgatitjet e nevojshme dhe të jenë të gatshëm për fillimin e bisedimeve, pavarësisht se kur do të fillojnë ato.
" Çdo ministër është i përgatitur dhe ka marrë udhëzime të qarta nga kryeministri i Kosovës, për të bërë parapërgatitjet edhe në hierarkitë më të vogla në ministri, qofshin ato për nivele teknike, apo praktike si po thuhet me fjalë të tjera. Kjo është një çështje mjaft komplekse, por gjithsesi çdo ministër është i njoftuar me kohë rreth këtij problemi dhe ne besojmë se edhe ministrat vetë janë të përgatitur", tha zoti Hoti.
Ndërkaq, Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit Nexhat Dacit, thekson se përveç qeverisë, Kuvendi dhe institucionet e tjera, nuk kanë bërë përgatitje të veçanta për fillimin e bisedimeve për çështje praktike mes Prishtinës dhe Beogradit.
" Përgatitjet e veçanta nuk janë bërë për arsyen se shumica e subjekteve politike në Kosovë dhe shumica e institucioneve të Kosovës, kanë konsideruar se nuk ka nevojë për përgatitje të veçanta, për faktin se bisedimet do të zhvillohen në nivel qeveritar dhe është në kuadrin e fushëveprimit të tyre të rregullt, gadishmëria që në çdo kohë, për probleme që janë nga domeni i tyre, të mund të bisedojnë si brenda, ashtu dhe jashtë Kosovës," tha zoti Tahiri, ndërsa zoti Hoti thekson se është e nevojshme që Kuvendi të bëjë vlerësimin e situatës së përgjithshme në vend, si dhe të marrë parasysh edhe faktorin ndërkombëtar, i cili sipas tij, është i interesuar që ky dialog të fillojë. Ai thotë se Kuvendi duhet t'i japë një kuptim vetes si institucion, duke i dhënë një dritë të gjelbër qeverisë se mund të fillojë me bisedimet për çështjet praktike me fqinjët siç është dhe Serbia.
" Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme për t'a dëshmuar dhe për t'a bërë legjitim një dialog të tillë në mes të dy shteteve Kosovës dhe Serbisë, për të qënë të barabartë në të gjitha nivelet, qoftë edhe kur është fjala për nivele praktike. Sepse ne nuk do të pranojmë të bëjmë asnjë dialog për çështje teknike apo praktike, nëqoftëse nuk jemi të barabartë, dhe nëqoftëse nuk do të nënshkruajmë vetë. Me fjalë të tjera, nuk do të flasim dhe të bëjmë dialog dhe dikush tjetër të nënshkruajë në emër të Kosovës", u shpreh zoti Hoti.
Ndërkaq Ramush Tahiri thotë se Kuvendi i Kosovës do t'a luajë rolin e tij gjatë përgatitjeve të bisedimeve të paralajmëruara, por edhe gjatë zhvillimit të tyre.
" Roli i Kuvendit është në përkrahjen që i jepet qeverisë. Qeveria ka përkrahjen e Kuvendit sepse është e zgjedhur prej tij. Roli i Kuvendit do të jetë në ratifikimin e marrëveshjeve që do të bëhen, pasi është organi më i lartë që nxjerr ligjet dhe ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe nëse kërkohet nga subjektet politike, nxjerrja e ndonjë platforme të përgjithshme, e cila nuk mund të jetë konkrete, e një platforme politike të unitetit për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës", përfundon zoti Tahiri.


XS
SM
MD
LG