Ndërlidhjet

SULM KRIMINAL DHE JO SULM I ORGANIZUAR TERRORIST- THOTË BARRY POLLIN


Rrahman Paçarizi, Mitrovicë

Autoritetet e policisë ndërkombëtare në Mitrovicë, kanë thënë sot se sulmet e djeshme me bomba në këtë qytet, nuk kanë qenë akte të organizuara terroriste, por akte individuale kriminale dhe se sulmet nuk kanë qenë të drejtuara kundër policisë.
Këto komente komandanti rajonal i policisë në Mitrovicë, Barry Pollin, i ka bërë në një konferencë me gazetarët të mbajtur sot pasdite në Mitrovicë:
“Hetimet preliminare indikojnë se ky ishte një sulm kriminal dhe jo një sulm i organizuar terrorist”, tha komandanti rajonal i policisë Barry Pollin, duke hedhur poshtë mundësitë edhe se policia në çfarëdo mënyre, ka qenë cak i këtij sulmi, që ka rrezikuar jetën e shumë qytetarëve të Mitrovicës, duke lënduar nëntë veta, njëri prej të cilëve vdiq nga plagët:
“Të dhënat e para, sipas disa hetimeve jopërfundimtare, indikojnë se ndërtesa e policisë nuk ka qenë cak i këtij sulmi”, ka thënë komandanti i policisë rajonale në Mitrovicë, Barry Pollin, sipas të cilit fakti se janë dëmtuar pesë vetura policie, nuk do të thotë se policia apo prona e policisë ka qenë e sulmuar, pasi vendi prej ku janë hedhur bombat, tregon se po të ishte policia cak, atëherë veturat do të mund të qëlloheshin shumë lehtë me bomba.
Sidoqoftë, tha zoti Pollin, të dhënat e para thonë se një person i përkatësisë gorane, është vrarë si pasojë e sulmit me bomba, por nuk ka dëshmi nëse ai ishte caku i sulmit. Burime të tjera thonë se viktima është Kadir Rashit 32 vjeç, i cili sapo kishte hapur një dyqan në atë pjesë.
Ndërkohë, hetuesi Ray Poli nuk ka konfirmuar pohimet se disa banorë të një fshati të Mitrovicës, kishin qëlluar me bomba për shkak të ngatërresës me disa nga personat e lënduar në këtë sulm. Mirëpo, hetuesi i policisë Ray Poli tha se të arrestuar nuk ka , por policia po merr në pyetje dy persona:
“Dy të dyshuarit që janë arrestuar mbrëmë janë ende në stacionin e policisë, aktualisht po merren në pyetje, në lidhje me rrethanat në të cilat janë arrestuar për këtë rast”, tha zoti Poli, duke mos dhënë detaje të tjera.
Sidoqoftë, policia thotë se shkalla e gadishmërisë së policisë në këtë rajon është rritur që nga e diela e kaluar, kur ndodhën disa shpërthime në Prishtinë, ndërkohë që zyrtarët e policisë në Mitrovicë, i kanë hedhur poshtë mundësitë që të ketë çfarëdo lidhjesh ndërmjet këtyre rasteve.
Akti i mbrëmshëm në Mitrovicë është dënuar edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci: “Unë mendoj se akte të tilla janë shqetësuese, pasi qytetarët e Kosovës nuk mund të pajtohen ma faktin se edhe katër vjet pas luftës, nuk mund ta dalin lirisht as në korzo. Prandaj i ftoj qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të dënojnë këto sulme e të bashkëpunojnë me policinë, ndërsa nga organet përkatëse kërkoj profesionalizëm në hetimin e këtyre rasteve dhe krijimin e sigurisë”, tha zoti Daci, ndërkohë që sulmin e mbrëmshëm tragjik, e ka dënuar përmes një komunikate edhe kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës.









XS
SM
MD
LG