Ndërlidhjet

NEXHAT DACI ANGAZHOHET PËR NJË ROL MË TË THEKSUAR TË KUVENDIT NË PROCESIN E PRIVATIZIMIT


Bekim Bislimi , Prishtinë

" Është gabim i madh për ata që mendojnë se Agjencia Kosovare e Mirëbesimit është kundër interesave të ekonomisë kosovare, në një kohë kur në rajon dhe në shtetet fqinje, ka shumë forca që duan ta
pengojnë këtë proces”, ka thënë sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, pas takimit që ka patur me drejtuesit e kësaj agjencie. Ai ka theksuar se fillimi i procesit të privatizimit ishte i vështirë, ndërsa arritjet e deritanishme mund të quhen si “një përfundim i gëzueshëm”.
Duke folur për raportet në mes parlamentit dhe Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, zoti Daci tha se parlamenti ka pasur të drejtë për
kritikat, të cilat më herët i kishte drejtuar në adresë të kësaj agjencie:
“Parlamenti kishte të drejtë sepse ai, gabimisht, në fillim u shkyç nga ky proces. Dhe ne u pajtuam me atë se ky ishte një gabim i atyre që e themeluan agjencinë, por jo i Bordit që e udhëheq tani. Ne do
të mundohemi që këto t’i tejkalojmë, të ketë më shumë transparencë dhe parlamenti të ketë më shumë informacion të vlefshëm. Por, parlamenti nuk do të jetë kundër proceseve zhvillimore të Kosovës”, tha zoti Daci.
Ndërkaq, Xhon Xhonson, drejtor i privatizimit në AKM tha se pajtohet me konstatimin e zotit Daci dhe se Kuvendi i Kosovës ka një rol të rëndësishëm në dhënien e sugjerimeve.
“Mendoj se Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i rëndësishëm i Kosovës, ka një rol të rëndësishëm në dhënien e sugjerimeve në procesin e privatizimit dhe në ndihmën që mund të na japë që ai të jetë i drejtë dhe transparent”, tha zoti Xhonson duke shtuar se do të
punohet bashkarisht drejt transparencës dhe suksesit.
Ndërkaq, lidhur me kritikat e punëtorëve, të cilat i janë drejtuar Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit me akuzën se kjo agjenci është shkaktare që ata kanë mbetur pa punë, Ahmet Shala, zëvendësdrejtor i AKM-së tha:
“Prandaj edhe ishte ky takim me zotin Daci, që është kryetar i institucionit më të rëndësishëm ligjvënës kosovar, në mënyrë që kjo mos të kuptohet se është mision vetëm i AKM-së dhe i zëvendësdrejtorit të saj,për të shtyrë procesin e privatizimit, por procesi i privatizimit të kuptohet si proces i të gjitha institucioneve të Kosovës”, tha zoti Shala. Ai ka shtuar se procesi i privatizimit është një ndër sfidat më të rënda për çdo shoqëri dhe se gabimet do të jenë të mundshme edhe në të ardhmen. Sidoqoftë tha ai, do të punohet në drejtim që ato të përmirësohen dhe të bashkëpunohet me institucionet e Kosovës.



XS
SM
MD
LG