Ndërlidhjet

SITUATA E SIGURISË NË MAQEDONI ËSHTË E KËNAQSHME-VLERËSOJNË DIPLOMATËT


Isuf Kadriu, Shkup

Zbatimi i plotë i marrëveshjes paqësore është parakusht për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, sikurse dhe për zhvillimin ekonomik, investime dhe punësime të reja, thanë përfaqësuesit e lartë të komunitetit ndërkombëtar Aleksis Bruns dhe Lorenc Batler, në prag të dyvjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes kornizë.
" Sa i përket legjislacionit, pjesa më e madhe e ndryshimeve ligjore të përqëndruara në marrëveshjen kornizë, tanimë janë miratuar në kuvendin e Maqedonisë," tha i dërguari i posaçëm i BE-së Aleksis Bruns, duke shtuar se për miratim kanë mbetur edhe ligjet që kanë të bëjnë me decentralizimin e pushtetit, ligji për Avokatin Popullor, si dhe ligji që rregullon përdorimin e simboleve të bashkësive etnike në vend. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, janë partnerë të fuqishëm në implementimin e marrëveshjes kornizë, ndërsa edhe në të ardhmen ne jemi të obliguar që të ndihmojmë në procesin e konsolidimit dhe të zbatimit të asaj që është arritur deri tani, u shpreh ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lorenc Batler.
" Si maqedonasit ashtu dhe shqiptarët kanë rolin e tyre për sukseset në shtet, sikurse do të kenë rol të barabartë në pasojat në rast të dështimit të procesit," tha ambasadori amerikan Batler, duke shtuar se varfëria, sundimi i dobët i ligjeve si dhe i sistemeve sociale, mund të jenë alternativat, nëse nuk përmbushen obligimet e marrëveshjes paqësore.
Dy ambasadorët gjendjen e sigurisë në Maqedoni e kanë vlerësuar si shumë më të mirë, në krahasim me periudhën e kaluar dhe se incidentet e fundit nuk do të ndikojnë në përsëritjen e ngjarjeve të mëparshme. Ambasadorët Batler dhe Bruns, thonë se me implementimin e deritanishëm të marrëveshjes kornizë, shqiptarët kanë përfituar më shumë të drejta, duke arritur të përdorin gjuhën shqipe në parlament, miratimin e një ligji që ofron zgjidhje për Universitetin e Tetovës, përdorimin e gjuhës shqipe në dokumentat personale, si dhe një përfaqësim të mirë në organet e sigurimit. Ndërsa sipas tyre po punohet për një përfaqësim real në administratën shtetërore. Megjithatë sipas dy ambasadorëve, për zbatimin e plotë të ligjeve dhe obligimeve të tjera duhet kohë, pasi marrëveshja kornizë është një dokument mjaft ambicioz që kërkon kurajo dhe vullnet politik deri në jetësimin e plotë.
Ndërkohë sa i përket deklaratave të përfaqësuesve të PDSH-së se marrëveshja paqësore ka dështuar dhe se në Maqedoni duhet të zbatohet parimi i vetëvendosjes, ambasadori Aleksis Bruns u shpreh:
" Marrëveshja kornizë duhet të jetë mbi politikën ditore të partive politike," tha ambasadori Bruns, duke shtuar se prononcime të tilla janë në kuadër të luftës për pushtet të partive politike që veprojnë në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG