Ndërlidhjet

NATO-JA PUBLIKOI RAPORTIN PËR INCIDENTIN E KRIVENIKUT NË VITIN 2001


Augustin Palokaj, Bruksel

Aleanca e NATO-s ka bërë sot publik një raport për incidentin në fshatin Krivenik në Kosovë, në afërsi të kufirit me Maqedoninë, ku nga predhat e hedhura nga pozicionet ende të paidentifikuara para më shumë se 2 vjetësh, gjetën vdekjen tre persona dhe ishin plagosur dhjetë të tjerë. Ndër të vrarët në atë kohë ishte dhe gazetari i Associated Press, Keren Lawton. Ky raport është vetëm i NATO-s në bazë të hetimeve që kanë bërë ekspertët nga kjo aleancë, por ai nuk ndriçon rastin edhe pse në detaje përshkruhen rrethanat e incidentit të ndodhur në 29 mars të vitit 2001. NATO-ja po ashtu shpreh keqardhjen se nuk mudn të japë përgjigje në pyetjen kryesore se kush është fajtor për këtë incident dhe nga pozicionet e kujt u hodhën predhat e kalibrit 120 mm, të cilat ranë në Krivenik. Zëdhënësi i NATO-s tha sot se ky raport i NATO-s është rezultat i një pune të gjatë dhe shprehu keqardhje se në të nuk mund të konkludohet se kush është përgjegjës, pasi nuk ka mjaft evidenca për të akuzuar njërën apo palën tjetër. Në emër të NATO-s ai edhe njëherë i shprehu ngushëllimet anëtarëve të familjeve të viktimave. Sipas zyrtarëve të NATO-s kjo ishte gjithshka çfarë ka mundur NATO të bëjë për të ndriçuar këtë rast dhe se hetime të tjera nga ana e NATO-s për këtë rast nuk do të ketë.
Raporti i NATO-s thotë se predhat të cilat kanë rënë në fshatin Krivenik në Kosovë, kanë mundur të hidhen nga pozicionet e vendosura në territorin e republikës së Maqedonisë, por edhe nga ato në Kosovë. Po ashtu thuhet se ato kanë mundur të hidhen nga pozicionet e ushtrisë maqedonase, por edhe nga ato të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë. Ky raport konfirmon se ka patur luftime të intensifikuara në atë zonë, se ushtria maqedonase ka patur ofenzivë kundër pozicioneve të UÇK-së dhe se UÇK-ja ka ditur të bëjë tërheqjen nga territori i Maqedonisë në Kosovë, gjë që është vështruar edhe nga helikopterët e KFOR-it në atë kohë. Por thuhet se nga helikopterët e KFOR-it nuk është parë asgjë në momentin kur predhat kanë rënë në Krivenik. Sipas NATO-s të dyja palët luftuese kanë disponuar predha të kalibrin 120 mm. Ushtria mqedonase është furnizuar me armë kryesisht nga shtetet e lindjes; nga Serbia, Bullgaria, Rusia dhe Ukrajina, ndërsa UÇK-ja nga burime të ndryshme, përfshirë këtu armatimin e ish-ushtrisë jugosllave, por edhe nga furnizues jashtë rajonit, që kanë qenë simpatizantë të tyre. Predhat që janë gjetur në Krivenik, të cilat shkaktuan vdekjen e tre civilëve janë me numra të serisë që dëshmojnë se janë prodhim i Sllovenisë. Raporti i NATO-s për incidentin e Krivenikut, përfundon me konkluzionin se duhen më shumë informacione nëse është e mundur si nga ushtria maqedonase ashtu dhe nga UÇK-ja për të vërtetuar se nga cila anë janë hedhur këto predha në Krivenik.


XS
SM
MD
LG