Ndërlidhjet

U SHËNUA NJË VJETORI I PRESIDENCËS SË MOISIUT


Alma Çupi, Tiranë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, sot në Pallatin e Brigadave në Tiranë, me rastin e një vjetorit të marrjes së detyrës, doli në një konferencë për shtyp ku deklaroi se është përpjekur të krijojë imazhin real të një presidenti që përfaqëson unitetin e popullit.
"Parimi im kryesor gjatë gjithë kësaj kohe, të cilit i jam përmbajtur me fanatizëm dhe besnikëri, ka qenë: të qëndroj mbi krizat, të mos bëhem palë e krizave, të mos krijoj kriza. Nuk do të lejoj tronditje politike, ato janë shkatërrimtare për vendin", tha presidenti Moisiu.
Partitë e vogla të opozitës, kritikuan presidentin për dekretimin e dy emrave, atë të Ermelinda Meksit, në vendin bosh të zëvendës kryeministrit të lënë nga Ilir Meta dhe të Ministrit të Integrimit të lënë nga Sokol Nako dhe të emrit tjetër, atë të Marko Bellos, në vend
të Ministrit të Jashtëm. Presidenti Moisiu për kritikat e bëra tha se ka zbatuar kushtetutën.
"Jo çdo ndryshim apo keqkuptim duhet t'a kthejmë në krizë. Gjithmonë i përmbahem kërksave të kushtetutës. Unë mendoj se pavarësisht nga kritikat që kam patur, kam mirëkuptim nga të gjitha palët", vuri në dukje presidenti i Shqipërisë.
Vlerësim për një rol stabilizues të presidentit Alfred Moisiu në vend dha po sot edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha:
"Ka dëshmuar integritet të madh, ka dëshmuar rol pa diskutim stabilizues dhe pozitiv".
Më tej presidenti Moisiu tha se zgjedhjet e tetorit për Shqipërinë do të jenë pashaporta për të hyrë në Evropë. Ndaj ai ka planifikuar në muajin shtator për të mbledhur në një tryezë të gjitha partitë politike.
" Do të realizoj gjatë shtatorit disa masa shumë të rëndësishme. Në radhë të parë do të ftoj në një tryezë partitë politike parlamentare, për të arritur një pakt të zhvillimit të zgjedhjeve të standartit qytetar dhe demokratik", tha Alfred Moisiu.
Gjithashtu presidenti Moisiu më tej shprehu angazhimin e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pas qëndrimit të fundit të serbëve që e shohin Kosovën brenda kornizës serbe.
" Kosova nuk mund të mbetet një njollë e murmurt në Ballkan. Kosova është pjesë e Ballkanit, është pjesë e Evropës", tha presidenti i Shqipërisë.
Presidenti Alfred Moisiu erdhi në këtë post më 24 korrik të 2002, pas marrëveshjes së bërë mes kryeministrit Fatos Nano dhe kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, më 23 qershor të këtij viti,
për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Moisiu u propozua nga e djathta shqiptare dhe pas miratimit të të dyja palëve në tryezën politike pozitë-opozitë, ai u zgjodh me 97 vota pro nga Kuvendi i Shqipërisë.


XS
SM
MD
LG