Ndërlidhjet

ENVER HASANI: HOLKERI VJEN NË NJË MOMEN MË TË VËSHTIRË SESA PARARENDËSIT E TIJ


Intervistë me Enver Hasanin, ekspert i së drejtës ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, sekretari i përgjithshëm i OKB e ka emëruar diplomatin finlandez Harry Holkeri kryeadministrator të Kosovës. Cilat janë detyrat kryesore dhe sfidat që e presin kryeadministratorin e ri në Kosovë?

ENVER HASANI
Unë mendoj se sfida e parë që do ta presë kryeadministratorin e ri Harry Holkeri është rikthimi i refugjatëve dhe i të zhvendosurve me origjinë nga Kosova. E dyta do të jetë çështja e bisedave për çështje pragmatike ose praktike, varet nga cili këndvështrim shikohet nga cila palë dhe mbajtja e balancit ndërmjet statusquo-s ekzistuese dhe moslejimi që të rrëshqasë çështja e bisedave kah statusi i Kosovës por të fokusohet në çështjet që paraqiten si të tilla, si pragmatike… E treta është çështja e decentralizimit e cila do të jetë po ashtu në agjendën e kryeadministratorit të ri, përkatësisht të asaj që popullësia locale e quan si legalizim të enklavave ekzistuese këtu në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zyrtaë të Bashkimit Evropian në Bruksel kanë thënë se një ndër detyrat kryesore të kryeadministratorit të ri do të jetë edhe evropianizimi i Kosovës. Çfarë do të thotë kjo në kontekstin e integrimit të Kosovës në strukturat evropiane?

ENVER HASANI
Tani, unë mendoj se këtu në shkim të parë, evropianizimi mund të nënkuptoj që Kosova politikisht të jetë krahas Evropës, por unë mendoj se kjo fare nuk ka të bëjë me këtë. Unë mendoj se me evropianizim nënkuptohet ajo që edhe në Kornizë Kushtetuese është thënë – bërja e Kosovës sipas standardeve evroatlantike, që e ka kuptimin në të dyja anët e Atlantikut. Dhe, në këtë kuptim, evropiazimi i Kosovës do të thotë krijimi i standardeve, do të bërja e Kosovës një shoqëri e hapur dhe demokratike, ku do të sundoj ligji, demokracia, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e minoriteteve dhe kjo nuk lidhet me anëtarësinë e Kosovës në atë institucion evropian. Kjo lidhet me ndryshimin e stofit kulturor e politik të kosovës në vitet që vijnë dhe sigurisht se kjo nuk mund të bëhet në mandatin e këtij kryeadminstratori dhe kjo është çështje që do kohë dhe unë mendoj se Kosova është në rrugë e sipër dhe deri tash ka demonstruar një sens sigurisht jo të kënaqshëm por jo edhe aq katastrofal sa i përket sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe këta janë hapat e parë ku diçka është bërë, mendoj unë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, institucionet e Kosovës në reagimet e para kanë thënë se zoti Harry Holkeri, mund të jetë i përfshirë ose mund të përfshihet gajtë mandatit të tij edhe në definimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Çka mendoni ju për këtë?

ENVER HASANI
Unë nuk e besoj këtë. Unë më shumë besoj se Holkeri do të ketë telashe me mbajtjen e kontrollit rreth mbajtjes së status-quos duke punuar njëkohësisht në çështjet pragmatike me Serbinë. Mendoj se gabojnë pasi këtu kryeadministratori i ri është i rrymës konservative dhe rryma konservative në parim, pa e njohur fare se kush është ai, në parim ka pragmatizëm, jopërkryeshmërinë e njeriut, prona, tradita, ruajtja e traditës e kështu me radhë, që në kontekstin kosovar ka shumë gjasa reale që kryeadministratori i ri të jetë lexues më besnik, më legal dhe më legalist i rezolutës 1244, sesa që kanë qenë të tjerët. Unë besoj, që, gjykuar sipas asaj që është thënë se është konservativ, ky do të jetë shumë më legalist në raportet shqiptaro-serbe dhe zbatues shumë më strikt i rezolutës 1244, sesa kanë qenë paraardhësit e tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, ju thatë më parë se evropianizimi i Kosovës nënkupton arritjen e standardeve, respektimin e rendit, ligjit, demokratizimit e të tjera, ndërkohë që zoti Holkeri, nëse vjen në Kosovë këtë muaj po e gjen Kosovën të përfshirë nga një valë shpërthimesh. Cilat mund të jenë pasojat e këtyre veprimeve?

ENVER HASANI
Mendoj se zoti Holkeri sigurisht vjen në një momen më të vështirë sesa pararendësit e tij dhe kjo është shumë e sigurt, në një Kosovë, sado që duket stabile, më të trazuar dhe të shqetësuar sesa ka qenë në kohën e pararendësve të tij, kur njerëzit kanë qenë plot shpresë, plot entuziazëm dhe tani këto eksplodimet e fundit janë shenjë shumë serioze se Kosova ka hyrë dhe po hyn në një fazë të re të dinamikës politike e cila sipas të gjitha gjasëve tregon se në të ardhmen, dhuna politike, dhuna me motivacion politik, me motivacion të ngjarjeve politike, për ngjarjet politike, do të jetë pjesë e jetës sonë edhe një kohë, edhe e gjeneratave që do të vijnë dhe mendoj se në këtë drejtim zoti Holker do ta ketë vështirë…dhe ai duhet ta zbuloj një barometër për matjen e standardeve. Unë mendoj se kjo mund të bëhet gjatë mandatit të tij, ai mund të përcaktoj parametrat për mënyrën dhe dinamikën e zbatimit të këtyre standardeve dhe kjo është jo vetëm për të mirën e Kosovës dhe për të mirën e tij, por edhe për të mirën e stabilitetit këtu në rajon.
Intervistoi Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG