Ndërlidhjet

UNMIK-U OPERACIONALIZON STANDARDET


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës kanë filluar përpjekjet e tyre për operacionalizimin e përmbushjes së standardeve dhe për përcaktimin e një dinamike të përmbushjes së këtyre standardeve, por gjithçka ende është në nivel pune, ndërsa i gjithë procesi mund të ngrihet në nivel politik vetëm pas pushimeve. Ky proces është inicuar pas thirrjes që zyra amerikane në Prishtinë, bashkë me misionet diplomatike të pesëshes i bënë UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës, për të hartuar një plan për dinamikën e përmbushjes së standardeve. Rexhep Hoti, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, tha sot për Evropën e Lirë, se kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e qeverisë së Kosovës që në njëfarë mënyre është injoruar:
"Deri para se zyra amerikane të dilte me qëndrim zyrtar, BE ka hezituar në këtë drejtim, por si duket gjërat më në fund kanë filluar të lëvizin dhe ne natyrisht se jemi të gatshëm të bëjmë një operacionalizim të përmbushjes së standardeve, të dihet se çfarë do të bëhet me standardet, sepse ne nuk na është thënë nëse ato përkojnë me rajonin apo me standardet evropiane", thotë zoti Hoti.
Një zëdhënës i UNMIK-ut, Sunil Narula tha se bisedimet me qeverinë tashmë kanë filluar:
"Ne kemi pasur biseda preliminare me qeverinë në përpjekjet e përbashkëta për arritjen e standardeve dhe përgjigja ka qenë e favorshme, ndërsa kontaktet aktualisht janë në nivel pune dhe vetëm pas pushimeve kjo do të kalojë në nivelet politike", tha zoti Narula, duke e parë këtë një çështje prioritare si për UNMIK-un edhe për institucionet e Kosoëvs:
"Kjo është përpjekje e përbashkët për arritjen e standardeve dhe kjo do të bëhet menjëherë, edhe pse nuk mund t’jua them një datë të saktë. E rëndësishmja është që po bëhen përpjekje për të arritur standardet dhe kjo po bëhet bashkërisht me qeverinë," shtoi më tej zëdhënësi i UNMIK-ut, mirëpo përfaqësuesi i qeverisë, Rexhep Hoti, thotë se ka probleme edhe në planin e bashkëpunimit:
"Në bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës, tashmë është bërë e qartë se UNMIK-u nuk dëshiron të japë asgjë, nëse institucionet e Kosovës nuk janë këmbëngulëse në atë që kërkojnë, dhe ka rëndësi që çdo ministri veç e veç dhe kryeministria të jetë këmbëngulëse në raport me UNMIK-un, përndryshe UNMIK-u është vështirë të veprojë, pasi është në natyrën e UNMIK-ut që t’i shohë gjërat ashtu", thotë Rexhep Hoti.
Sidoqoftë, thotë këshilltari i kryeministrit, para fillimit të vjeshtës, por edhe gjatë vjeshtës, do të jenë tre çështje kyçe që do të trajtohen e këtu hyjnë operacionalizimi i standardeve, kompetencat dhe çështja e dialogut. Sa i përket çështjes së standardeve, është vështirë të pritet nga qeveria, pasi 70 për qind e standardeve hyjnë në të drejtat e rezervuara për UNMIK-un. Një problem tjetër, sipas këshillarit Hoti është edhe vlerësimi i përmbushjes dhe nivelit të përmbushjes së standardeve:
"Përmbushja e standardeve dhe kriteri, me të cilin do të vlerësohen ato është një çështje e vështirë. Ne do të dëshironim që në atë vlerësim të jenë edhe SHBA-të, pasi kanë një politikë më praktike në operacionalizimin e gjërave, ndërkohë që evropianët janë më konservativë dhe shkojnë më ngadalë, ndërsa ne si qeveri jemi të interesuar që këto gjëra t’i përmbushim, pavarësisht nga obligimet që kërkohen nga ne", theksoi zoti Hoti.
Faktin se cilat do të jenë kriteret për vlerësim dhe kush do ta bëjë këtë vlerësim nuk kanë arritur t'a sqarojnë as shefat e misioneve diplomatike të pesë vendeve më me ndikim në Kosovë, por kanë thënë se operacionalizimi dhe përmbushja e standardeve është domosdoshmëri.
XS
SM
MD
LG