Ndërlidhjet

M.MUSTAFA: ÇMIMIN E NDËRMARRJEVE E PËRCAKTON TREGU


Muhamet Mustafa, kryetar i RIINVEST-it

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, cilat janë sfidat kryesore në fushën e ekonomisë, të cilat e presin kryeadministratorin e ri të
Kosovës?

MUHAMET MUSTAFA
Unë mendoj se kryeadministratori i ri i Kosovës duhet të bëjë në të vërtetë ndërhyrje konkrete në realizimin e atij, që zoti paraardhësi i tij Shtajner e ka patur si prioritet kur u emëruar, privatizimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Fatkeqësisht, brenda periudhës që ai ka qenë kryeadministrator, nuk është arritur që të bëhet shumë as në njërin as në tjetrin drejtim. Prandaj kryeadministratori i ri, që në fillim të punës së tij në Kosovë, do të ballafaqohet me nevojën që në këto dy çështje të bëjë ndërhyrje më serioze dhe të arrijë rezultate më të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertët ekonomikë kosovarë kanë shumë vërejtje se shtylla e katërt e UNMIK-ut merret pak me problemet ekonomike dhe se Kosova nuk ka strategji të zhvillimit. Sa qëndrojnë këto vërrejtje?

MUHAMET MUSTAFA
Kjo mungon, por ne nuk mundet tani vetëm të kërkojmë nga shtylla e katërt, meqënëse kemi institucionet tona, kemi parlamentin dhe kemi qeverinë, të cilat në bashkëpunim me ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, natyrisht dhe me shtyllën e katërt, duhet të bëjnë këtë strategji dhe duhet të krijojnë politika më të favorshme ekonomike, në harmoni me nevojën që të krijohen vende të reja të punës dhe të zbatohet me sukses privatizimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka vërejtje lidhur me privatizimin e gjashtë ndërmarrjeve të para. Ata paralajmërojnë edhe greva dhe protesta. Sa qëndrojnë këto vërrejtje?

MUHAMET MUSTAFA
Vërejtjet e sindikatës mund të jenë të sakta, sepse ne të gjithë kemi pritur se objektet mund të shiten me një çmim më të lartë. Por nga ana tjetër mendoj se edhe sindikata, edhe kosovarët, duhet t'a pranojnë se objektet nuk vlejnë aq sa mendojmë ne, por vlejnë aq sa shiten. Ne jemi në nevojë që këto objekte t'i shesim, meqënëse nuk egziston asnjë mënyrë tjetër për t'i aktivizuar. Dhe kur është njëri në nevojë dhe shet diçka, ai e shet atë objekt aq sa mund t'a shesë, jo aq sa mendon ai që mund të shitet. Këto janë dy gjëra. Njeriu kur ka mjaft para dhe është komod, e ka situatën mirë, ai e nxjerr në treg, por e shet një pasuri kur është i kënaqur me çmimin. Ne nuk jemi në pozitën që objektet, të cilat duhet të privatizohen, t'i shesim kur të jemi të kënaqur me çmimin, por duhet t'i shesim aq sa shiten dhe t'i shesim me çmimin më të lartë që ofrohet. Kjo është ajo që duhet të kuptojnë sindikatat. Përndryshe cila është alternativa tjetër e mosshitjes? Alternativa tjetër është që këto ndërmarrje të mos jenë të aktivizuara, të degjenerohen edhe më tutje, që do të thotë një humbje e mëtejshme e vlerës së tyre.

Intervistoi Gëzim Baxhaku
XS
SM
MD
LG