Ndërlidhjet

logo-print

HASELOK: "NUK BËN TË PREJUDIKOHET STATUSI PËRFUNDIMTAR I KOSOVËS"


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Deklarimet e papërgjegjshme në Prishtinë dhe në Beograd po e minojnë atmosferën që UNMIK-u përpiqet t'a krijojë para fillimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike, ka thënë sot në Prishtinë një nga zëdhënësit e UNMIK-ut, Simon Haselok, duke kundërshtuar sidomos zyrtarët nga të dyja palët, që prejudikojnë statusin përfundimtar të Kosovës. Edhe pse është e pazakonshme, kjo verë duket mjaft shqetësuese në këtë plan, ka thënë zoti Haselok:
“Kur flasim për nevojën që të kemi një dialog të shëndoshë dhe shohim një lloj retorike që kërcënon pikat e ndjeshme të të dyja palëve, kjo nuk e përmirëson atmosferën në raport me atë duam të bëjmë”, tha Simon Haselok, duke iu referuar një shkrimi të ushtruesit të detyrës së kryeministrit, zotit Jakup Krasniqi në shtypin e këtushëm, në të cilin ka thënë se për të filluar bisedimet për çështje teknike, Serbia duhet të përmbushë disa parakushte, si dhe disa deklarata të zëvendëskryeministrit të Serbisë Nebojsha Çoviç, lidhur me statusin e Kosovës, që ai e sheh të lidhur me Serbinë:
“Asnjëra palë nuk mund të prejudikojë këto diskutime që më parë dhe çështja e statusit mbetet e hapur sipas rezolutës 1244”, tha Simon Haselok, duke kundërshtuar deklaratat që flasin për statusin e Kosovës, të cilat sipas zotit Haselok, po e minojnë procesin e arritjes së fillimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike. Në të vërtetë, ushtruesi i detyrës së kryeadministratorit të Kosovës, Charles Brayshow, pati reaguar së fundi ndaj deklaratave të zotit Çoviç, që Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë dhe me atë rast Brayshow pati thënë, se statusi i Kosovës nuk vendoset as në Prishtinë dhe as në Beograd.
Zëdhënësi i UNMIK-ut Haselok, ka folur sot edhe lidhur me përgjigjen e UNMIK-ut drejtuar Tribunalit të Hagës, ku thuhet se nuk mund të garantojnë për lejimin e Fatmir Limajt për t’u mbrojtur në liri. Letrat që dërgojmë kanë të bëjnë me UNMIK-un dhe Tribunalin e Hagës, ndërsa mediat ndonjëherë edhe i kanë keqintepretuar ato.
“Kundërshtimi i UNMIK-ut mbështetej në situatën aktuale në Kosovë, ku ka keqtrajtim të dëshmitarëve, dhe ne nuk jemi në pozitë të përgjigjemi për qëllimet e dikujt dhe jo vetëm të zotit Limaj, për të qëndruar në Kosovë apo për të ikur”, tha Haselok, sipas të cilit UNMIK-u nuk ka shprehur në letër ndonjë qëndrim të vendosur për këtë, por ka dhënë mendimin për situatën aktuale. Prandaj, tha Haselok, UNMIK-u nuk mund të japë garanci për askënd dhe jo vetëm për zotin Limaj. Përgjigja e UNMIK-ut kishte të bënte me një letër nga Tribunali i Hagës, ku kërkohej mendimi i UNMIK-ut, nëse Fatmir Limaj, i akuzuari më i njohur shqiptar në Tribunalin e Hagës, mund të lejohej për t’u mbrojtur në liri, siç kishte kërkuar mbrojtja e tij. Përgjigja e UNMIK-ut ndërkohë pati shkaktuar reagime në Kosovë dhe ushtruesi i detyrës së kryeministrit Jakup Krasniqi, pati paralajmëruar se qeveria e Kosovës do të rishqyrtojë pozicionin e saj kundrejt UNMIK-ut.
XS
SM
MD
LG