Ndërlidhjet

POLITIKANËT SERBË TË PËRCARË PËR KOSOVËN


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës kanë pranuar edhe publikisht faktin, se janë të përçarë dhe kanë mendime të ndryshme politike mbi interesat e komunitetit, të cilin e përfaqësojnë. Dragisha Kërstoviç, shef i grupit parlamentar të koalicionit serb “Kthimi”, përfaqësuesit e të cilit janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, thotë se ndasitë janë evidente, veçanërisht në mes të koalicionit “Kthimi”, Këshillit Kombëtar Serb dhe Lëvizjes Serbe të Ripërtëritjes. Zoti Kërstoviç megjithatë pohon se përçarjet ekzistojnë madje edhe brenda vetë koalicionit “Kthimi”.
“Mund të them se konstatimi që përfaqësuesit politikë të serbëve janë të ndarë është shumë i saktë”, thotë zoti Kërstoviç.
Momçillo Trajkoviç, kryetar i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe në Kosovë, pohon se në mes të politikanëve serbë në Kosovë ekzistojnë përçarjet konceptuale.
“ Ekziston një koncept, që lufton që serbët e Kosovës të jenë përfaqësues autetnik të subjektit politik dhe ekziston koncepti i dytë, që me çdo kusht për shkak të interesave personale, pa asnjë rezervë vepron në bazë të udhëzimeve të disa qendrave të pushtetshme në Beograd, të cilat thjesht duan që serbët e Kosovës t’i shndërrojnë në shërbëtorë”, thotë zoti Trajkoviç.
Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar Serb në Mitrovicë, Nebojsha Miniç, pranon ekzistimin e përçarjeve në mes të politikanëve serbë, por thotë se ato janë të përmasave më të vogla, në krahasim me ndasitë që ekzistojnë në mes të politikanëve në Beograd.
“Në fakt, shkaku i dallimeve në qëndrime në mes të politikanëve serbë, qëndron në mënyrën se si duhet trajtuar çështja e zgjidhjes së problemit të Kosovës”, thotë Miniç.
Rada Trajkoviç nga koalicioni serb “Kthimi” dhe Këshilli Kombëtar Serb, thotë se udhëheqësit serbë në Kosovë po veprojnë në kundërshtim me atë që duhet bërë. “Persona të caktuar shumë shpesh përpiqen që projektet e tyre t’i zbatojnë nëpërmjet grupeve të ndryshme në Kosovë dhe në këtë mënyrë të udhëheqin situatën”, thotë zonja Trajkoviç. Sidoqoftë, Beogradi zyrtar është munduar që të ndërhyjë në situatën e krijuar, duke propozuar krijimin e mekanizmave të ndryshëm, rreth të cilëve do të mblidheshin të gjithë përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, por deri tani asnjëra prej këtyre nismave nuk ka dëshmuar ndonjë sukses. Në Misionin e Kombeve të Bashkuara ndërkaq pohojnë se pikërisht qarqet në Beograd, janë ato që duhet fajësuar për përçarjet e krijuara dhe për promovimin e ideve të ndryshme, që në të shumtën e rasteve dëmtojnë vetë interesat e komunitetit serb në Kosovë.
XS
SM
MD
LG